Delegacioni i Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale kryesuar nga Drejtori i Përgjithshëm, znj. Rovena Beqiraj zhvilloi një vizitë zyrtare me përfaqësuesit më të lartë të Agjencisë për Pronësi Industriale të Republikës së Kosovës në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit nënshkruar mes dy institucioneve, në vitin 2018. Z. Isa Dukaj, Zv. Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë për Pronësi Industriale të Republikës së Kosovës theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me Drejtorinë e Përgjithshme të Pronësisë Industriale të Shqipërisë.

Ai nënvizoi faktin se shkëmbimi i përvojave mes këtyre dy institucioneve tona është ndihmesë e madhe për zhvillimin e mëtejshëm të fushës së PI- së në të dyja vendet.

Pas prezantimit që të dyja palët bënë lidhur me aktivitetin e punës institucionale, bashkëbisedimi u fokusua në gjetjen e mënyrave dhe modalitetet e forcimit të bashkëpunimit që do të vijojnë mes zyrave.

Një plan veprimi konkret do të hartohet nga Komitetet e Monitorimit dhe do të zbatohet gjatë vitit 2022. Aktivitete të përbashkëta midis dy zyrave homologe do të zhvillohen në kuadër të Ditës Botërore të Pronësisë Intelektuale, 26 Prill 2022, ku pritet që kolegët e zyrës homologe të vizitojnë Tiranë.

Marrëveshja e bashkëpunimit mes palëve parashikon realizimin e aktiviteteve të përbashkëta kryesisht në promovimin e pronësisë industriale si dhe forcimin e sistemeve kombëtare të PI.