Në një ditë kushtuar Start – upeve, mbyllëm me një përshtypje pozitive workshop-in kombëtar të organizuar në mënyrë hibride, në lidhje me lancimin e versionit në shqip të botimit në gjuhën shqipe “Idetë sipërmarrëse: Një udhëzues për pronësinë intelektuale për startup-et”.

Drejtori i Përgjithshëm i DPPI, Znj. Rovena Beqiraj në fjalën e saj përshëndetëse theksoi se ky botim ofron udhëzime mbi mënyrën se si bizneset e reja (start-up) mund ta përdorin sistemin e PI-së për të qëndruar konkurrues dhe kuptuar rreziqet që mund të lindin nëse sistemi i PI-së shpërfillet.

Znj. Virag Halgand, përfaqësuese e Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale vlerësoi rolin aktiv të Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale (DPPI) në lidhje me promovimin e të drejtave të pronësisë industriale në RSH, kryesisht me start- upet dhe siguroi mbështetjen e WIPO në këtë drejtim.

Botimi i pari i këtij lloji në gjuhën shqipe përqëndrohet në një biznes të ri (start-up) që po përpiqet të sjellë një zgjidhje teknologjike novatore për tregun, por parimet duhet t’u vijnë po aq në ndihmë edhe bizneseve të reja (start-up-eve) që nuk bazohen në teknologji, por kanë ide të reja marketingu, kujdesen për një treg të ngrohtë ose ofrojnë një shërbim novator.

Kjo Guidë është përshtatur për kontekstin shqiptar nga Prof. Altin Maliqi, nën kujdesin e Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale. E ftuar gjithashtu znj. Migena Muslli, kabinet i Ministrit të Shtetit për Sipërmarrjen, ku prezantoi për të ftuarit thirrjen për start- upet dhe lehtësirat që ofrohen për këtë kategori. Z. Fiordi Pernaska është një histori suksesi që dëshmon më së miri sesi IP e ka ndihmuar të jetë unik në treg. Ai është pjesë e këtij botimi dhe ndau me të ftuarit eksperiencën personale.

Me mbështetjen e Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale një vëmendje e veçantë do ti kushtohet sipërmarrjes dhe biznesit.

Shumëfishimi i këtij botimi u bë i mundur nga projekti shqiptaro- zvicerian nē fushën e pronësisë intelektuale ALSIP, ekspertët e të cilit i kishim prezent në event.