IP4Startups – Programi që do të fuqizojë sipërmarrjet e reja nëpërmjet Mbrojtjes së Pronësisë Intelektuale
Ekosistemi shqiptar i startupeve dhe inovacionit po transformohet në mënyrë eksponenciale. Megjithatë Pronësia Intelektuale dhe Industriale është një tematikë, mbi të cilën startupet ende kanë nevojë të informohen. Nëpërmjet programeve të akselerimit mbi Pronësinë Intelektuale dhe Industriale, sipërmarrjet në Shqipëri mund të rrisin potencialin e zhvillimit ekonomik dhe inovacionin për ta pozicionuar Shqipërinë si një qendër e avancuar e inovacionit për rajonin.
Mbrojtja e Pronësisë Intelektuale dhe Industriale të një Startupi përpos regjistrimit të markës apo patentimit, përfshin një strategji brendimi dhe mbrojtje të mirëfilltë në rast të shkeljes së të drejtave. Programi “IP4Startups”, i cili do të mbështetë drejtpërsëdrejti disa startupe shqiptare mbi Pronësinë Intelektuale dhe Industriale implementohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale (DPPI) me mbeshtjetjen e Projektit Shqiptaro-Zviceran për pronësinë Intelektuale (ALSIP).
Qëllimi i programit IP4Startups është të mbështesë 10 startupe shqiptare të arrijnë potencialin e tyre dhe t’u ofrojë mbështetje të personalizuar për të regjistruar dhe mbrojtur në mënyrë efektive asetet e tyre të pronësisë intelektuale dhe industriale duke përfshirë: ngritjen e kapaciteteve, konsulencë të personalizuar, regjistrimin pa pagesë të markave tregtare për subjektet e tyre dhe hartimin e paketave të brendimit ose ribrendimit, për të patur avantazh konkurrues dhe diferencim në treg.
Rreth Programit
IP4Startups do të ofrojë një program intensiv akselerimi të dedikuar për të adresuar nevojat specifike të startupeve. Startupet e përzgjedhura do të kenë akses në një sërë burimesh dhe mekanizmash mbështetës, që synojnë rritjen e të kuptuarit mbi pronësinë intelektuale dhe zbatimin e strategjive efektive të saj për një rritje të qëndrueshme. Me qëllim adresimin e nevojave specifike, pjesëmarrësit do të gjejnë udhëzime dhe mbështetje duke nisur që nga hartimi i strategjive të rritjes dhe brendimit, regjistrimit të markës deri te menaxhimi i pronësisë intelektuale. Programi synon të mbështesë 10 startupe në Shqipëri, të cilët do të përfitojnë pa pagesë mbështetje të personalizuar përgjatë programit.
Çfarë ofron programi:
- Workshope/ trajnime: Startupet do të marrin pjesë në workshope informuese mbi markën, pronësinë intelektuale dhe tematika të ndryshme të lidhura me mbrojtjen e pronësisë intelektuale;
- Diagnostifikimi i Pronësisë Intelektuale dhe Industriale (WIPO IP diagnostics);
- Raport i personalizuar nga DPPI: Një raport i personalizuar paraprak nga DPPI mbi asetet e pronësisë intelektuale të secilit startup dhe strategjisë së brendimit;
- Paketa e personalizuar e brendimit/ribrendimit: Secili startup i programit do të përfitojë mbështetje të personalizuar “Branding/Rebranding Package”;
- Sesione mentorimi të dedikuara: Ekspertët e programit do të ofrojnë sesione mentorimi të dedikuara për startupet e programit;
- Regjistrimi i markës: Mbështetje e drejtpërdrejtë për regjistrimin dhe mbrojtjen e markës;
- Networking: Evente rrjetëzimi, akses në investitorë, mentorë, donatorët e projektit dhe aktorë të rëndësishëm të ekosistemit të startupeve për të nxitur bashkëpunime të reja.
Kriteret për aplikim
Ne jemi në kërkim të startupeve inovative që dëshirojnë të rriten dhe arrijnë nivele të reja zhvillimi. Për t’u bërë pjesë e programit, startupet duhet të plotësojnë kriteret e mëposhtme:
- Startupet duhet të jenë të regjistruara në Shqipëri dhe të pajisura me NIPT;
- Të jenë në fazat e hershme të zhvillimit (nga 6 në 36 muaj);
- Të kenë potencial rritje dhe zgjerimi në tregjet rajonale/internacionale;
- Të kenë zgjidhje inovative që kanë të inkorporuar teknologjitë e reja digjitale;
- Aplikantët duhet të kenë të paktën një Minimum Viable Product (MVP) ose një prototip të demonstrueshëm. Avantazh përbejnë Startupet që janë në fazën e lançimit/shitjes së produkteve të tyre;
- Të përbëhen nga ekipe dinamike, me CV të pasur dhe të përkushtuara për t’u angazhuar në çdo aktivitet të parashikuar në program.
- Të kenë adresuar nevojat dhe sfidat lidhur me Pronësinë Intelektuale dhe Industriale në mënyrë sa më të qartë dhe konkrete.
Komisioni i vlerësimit do të bazohet mbi kriteret e mësipërme përgjatë vlerësimit. Përfituesit e këtij programi do të jenë kryesisht startupe të cilat, përveçse plotësojnë kriteret e mësipërme më së miri, i përshtaten gjithashtu objektivave të programit.
Hapja e aplikimeve: 1 Gusht 2024
Mbyllja e aplikimeve: 31 Gusht 2024
Kohëzgjatja e programit: 15 shtator – 24 tetor 2024
Apliko këtu përmes linkut: https://forms.gle/rSXjMbYY2DYaw3W98
Aplikantët do të njoftohen brenda datës 14 shtator 2024 për statusin e aplikimit të tyre.