Në 26 Prill të çdo viti Shqipëria, ashtu si dhe vendet e tjera të botës, feston Ditën Botërore të Pronësisë Intelektuale, për të promovuar rëndësinë e saj në inkurajimin e shpikjeve dhe krijimtarisë së mendjes njerëzore.

Në vitin 2000, shtetet anëtare të Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale (WIPO) caktuan 26 prill (datë, në të cilën Konventa për themelimin e WIPO-s hyri në fuqi në vitin 1970), si Ditën Botërore të Pronësisë Intelektuale, me qëllim rritjen e të kuptuarit të përgjithshëm të pronësisë intelektuale.

Dita Botërore e Pronësisë Intelektuale ka ofruar një mundësi unike çdo vit për t’u bashkuar me të tjerët rreth globit për të marrë në konsideratë se si pronësia intelektuale kontribuon në nxitjen e inovacionit dhe është një shtyllë shumë e fortë e ekonomisë së një vendi.

Për vitin 2021 Organizata Botërore e Pronësisë Intelektuale (WIPO), zgjodhi të festojë me sloganin: “Pronësia Intelektuale dhe Biznesi” me qasjen, se një sistem pronësie intelektuale i ekuilibruar dhe i fortë mund të mbështesë biznesin, duke marrë parasysh dhe ndikimin shumë të madh që pandemia globale i dha.

Ky slogan shërben si shtysë për nxitjen dhe fuqizimin e biznesit, (sidomos atij të vogël dhe të mesëm), si dhe mbrojtjen dhe unifikimin e tyre në treg.

Misioni i çdo qeverie të çdo vendi të botës është që kultura dhe prodhimtaria intelektuale vendase të zhvillohet, përhapet, promovohet e stimulohet, nëpërmjet hartimit dhe zbatimit të politikave efikase në funksion të respektimit të mbrojtjes së produktit intelektual.

Ka një vullnet të shprehur qartë të Qeverisë Shqiptare se respektimi dhe mbrojtja e të Drejtave të Pronësisë Intelektuale do të garantohet në të njëjtin nivel që garantohet në të gjitha vendet e zhvilluara të botës. Kjo fushë është prioritare për Qeverinë Shqiptare për të plotësuar të gjitha kushtet që kërkon BE, në mënyrë që të bëhemi vend anëtar  me të drejta të plota.

Ky është një detyrim politik që rrjedh nga Traktatet e Konventat Ndërkombëtare, i detyrueshëm për Qeverinë Shqiptare në detyrimet që rrjedhin nga MSA, në nenin 73 të saj, dhe i shprehur dhe me hartimin e një dokumenti strategjik që është Strategjia Kombëtare e Zbatimit të të Drejtave të Pronësisë Intelektuale.

 

Gëzuar Ditën Botërore të Pronësisë Intelektuale!