Drejtori i Përgjithshëm Znj. Ledina Beqiraj, nënshkroi marrëveshjen e bashkëpunimit nē kuadër të projektit të pronësisë intelektuale shqiptaro-zviceran (ALSIP), marrëveshje e nënshkruar gjithashtu midis Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, përfaqësuar nga znj. Anila Denaj dhe Ambasadës së Zvicrës përfaqësuar nga ambasadori z. Adrian Maître.
Ky është një projekt bashkëpunimi dhe zhvillimi midis Qeverisë së Zvicrës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, i cili do të financohet nga Sekretariati Shtetëror Zviceran për Çështje Ekonomike (SECO) dhe do të implementohet nga Instituti Federal Zviceran i Pronësisë Intelektuale (IPI). Projekti do të ketë një kohëzgjatje prej 4 vjetësh (2020-2024).
Qëllimi i përgjithshëm i këtij projekti është të kontribuojë në mënyrë të tillë që, sipërmarrësit, krijuesit, studiuesit dhe prodhuesit në Shqipëri të përfitojnë nga mbrojtja efektive e zbatimit të të drejtave të pronësisë intelektuale.
Projekti ALSIP mbështet Shqipërinë në zbatimin e vizionit të mirë artikuluar në Strategjinë e saj Kombëtare të PI-së përsa i përket një sistemi eficent, në veçanti për të siguruar regjistrim efektiv dhe mbrojtje të objekteve të pronësisë intelektuale. Gjithashtu, do të inkurajojë krijimtarinë dhe inovacionin për të stimuluar rritjen ekonomike dhe zhvillimin kulturor dhe shkencor në vend.