Informacion rreth markës

 

  • Çfarë është një marke tregtare apo një markë shërbimi?

Marka është një fjalë, simbol, vizatim, apo kombimin i disa fjalëve, i frazave, simboleve apo vizatimeve, që identifikojnë dhe dallojnë burimin e mallrave të një pale, nga ato të një pale tjetër.

Përkufizimi i markës se shërbimit është i njëjtë me atë të markës tregtare, me përjashtim që ato identifikojnë dhe dallojnë burimin e shërbimeve dhe jo produktet.

  • Shenjat që përbëjnë një markë
    • Fjalët, kombinimet e fjalëve, duke përfshirë dhe emrat personalë
    • Gërmat, numrat
    • Shënjat figurative, duke përfshirë vizatimet
    • Format tridimensionale, duke përfshirë format e mallrave dhe amballazhet e tyre
    • Ngjyrat, kombinimin e ngjyrave, sinjalet e dritës në qoftë se, ato paraqiten grafikisht
    • Kombinimi i shenjave të përmendura më lart.
  • Shenjat që nuk përbëjnë markë

Jo çdo simbol mund të mbrohet si markë, pra ligji lejon mundësinë e refuzimit të regjistrimit të markës në qoftë se:

  • Marka e depozituar mund të jetë në kundërshtim me rregullat e moralit publik
  • Marka e depozituar konsiston në emblema shtetërore ose të organizatave ndërkombëtare, flamurë ose simbole fetare
  • Markat të cilat konsistojnë në emrat e personave të mirënjohur nga publiku, portretet ose pseudonimet e tyre, pa autorizimin e këtyre personave.

Nga ana tjeter, fakti që marka tregtare është regjistruar në Rregjistrin e Markave Tregtare, nuk bën pjesë në shkaqet e refuzimit të një kërkese për regjistrim. Kjo bën pjesë në të drejtën e pronarit të mëparshëm të markës, që të vendosë nëse do të lejojë ose kundërshtojë regjistrimin e saj.

 

 

Procedurat e regjistrimit të markës

Në kuadër të kryerjes sa më mirë të shërbimeve të informacionit për klientët tanë, DPPI ka vendosur të publikojë informacion më të hollësishëm në lidhje me mënyrën e plotësimit të formularit të kërkesës për regjistrim marke (FM1) si dhe në lidhje me dokumentet që duhet të përmbajë aplikimi, në momentin e depozitimit nga aplikanti.

Në vijim do të gjeni shënime ndihmëse rreth plotesimit të çdo paragrafi të formularit të kërkesës për regjistrim marke , si dhe udhëzuesin e përgatitur për këtë qëllim.

Në vijim do të gjeni tarifat për regjistrimin e objekteve të pronësisë industriale në bazë të vendimit numër 883, datë 13.05.2009 “Për miratimin e tarifave për regjistrimin e objekteve të pronesisë industrial”, i ndryshuar.

Tarifat për Regjistrimin e Objekteve të Pronësisë Industriale ,VKM 883, Datë 13.05.2009 

  • Dokumentet që duhet të përmbajë një aplikim për regjistrim marke.

Në bazë të ligjit nr. 9947 dt. 07.07.2008“ Për Pronësinë Industriale”, i ndryshuar, neni 145 dhe VKM Nr.1706, datë 29.12.2008, “Për Miratimin e Rregullores për Regjistrimin e Markave Tregtare dhe të Shërbimit”, Kreu II, dokumentet që duhet të përmbajë një aplikim për regjistrim marke, janë :

  • formulari FM1 i plotësuar dhe i nënshkruar nga aplikanti ose përfaqësuesi i tij;
  • 8 kopje të etiketës (logos) së markës suaj, me permasa 8×8 cm;
  • dokumenti që vërteton pagesën e tarifës së caktuar për depozitim;
  • autorizimi i përfaqësimit në rast se kërkesa paraqitet nga një përfaqësues i autorizuar apo nga një person, i caktuar nga ai vetë.
  • në rast se marka është kolektive, kërkohet dokumenti mbi rregullat e përdorimit të markës;
  • në rast se aplikimi përmban një deklaratë prioriteti, duhet të depozitohet edhe dokumenti që vërteton prioritetin ose certifikatën e lëshuar nga autoritetet kompetente;
  • Dokumentet që përmban aplikimi duhet të paraqiten pranë DPPI-së të vendosura në dosje në anën e majtë të të cilës bashkëngjitet indeksi i dosjes për regjistrim marke.
  • Informacion në lidhje me regjistrimin ndërkombëtar të markave

Sistemi i regjistrimit ndërkombëtar të markave rregullohet nga dy marrëveshje ndërkombëtare në të cilat Republika e Shqipërisë ka aderuar si shtet anëtar:

  1. Marrëveshja e Madridit për Regjistrimin Ndërkombëtar të Markave
  2. Protokolli i Marrëveshjes së Madridit.