Është nënshkruar Marrëveshja e Bashkëpunimit mes Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale, e nënshkruar nga znj. Maria Solis Kapedani, Drejtori i Përgjithshëm i Komanduar, dhe z. Rahim Spahiu, Kryetar i Bashkisë Dibër, me qëllim promovimin dhe mbrojtjen e pronësisë industriale.
Qëllimi i Bashkëpunimit
Fokusi kryesor i kësaj marrëveshjeje është organizimi i aktiviteteve të përbashkëta, panaire dhe iniciativa të tjera për të sensibilizuar bizneset e qytetit të Peshkopisë dhe për të garantuar mbrojtjen e pronësisë intelektuale.
Objektivat Kryesore
1. Organizimi i aktiviteteve për mbrojtjen dhe regjistrimin e pronës industriale për bizneset e Peshkopisë.
2. Organizimi i tryezave të rrumbullakëta dhe sesioneve diskutimi për mbrojtjen e pronës industriale.
3. Shkëmbimi i informacionit mbi pronësinë industriale mes palëve, për të fuqizuar bashkëpunimin dhe ndërgjegjësimin.
Ky është një hap i rëndësishëm në zhvillimin dhe mbrojtjen e bizneseve dhe ideve inovative në rajon!
Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale (DPPI) organizoi një takim tre-palësh me homologët e saj nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, në kuadër të bashkëpunimit rajonal për çështjet e pronësisë industriale.
Ky takim shënon një hap të rëndësishëm në thellimin e marrëdhënieve institucionale dhe koordinimin e projekteve të përbashkëta, me synimin për të përmirësuar shërbimet dhe përfaqësimin ndërkombëtar të rajonit.
Delegacionet pjesëmarrëse u mirëpritën nga Drejtori i Përgjithshëm i Komanduar i DPPI, znj. Maria Solis Kapedani.
Pjesëmarrësit në takim:
Z. Avdi Krasniqi – Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Pronësisë Industriale të Kosovës
Z. Eljesa Neziri – Drejtor i Përgjithshëm i Entit për Pronësi Industriale të Maqedonisë së Veriut
Gjatë diskutimeve, u theksua rëndësia e bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve homologe për të ndërtuar një sistem më efikas dhe të harmonizuar të pronësisë industriale në rajon. Palët u angazhuan për forcimin e shkëmbimit të përvojave, zhvillimin e projekteve të përbashkëta dhe avancimin e shërbimeve për qytetarët dhe bizneset.
Ky takim konfirmon angazhimin e përbashkët për një rajon më të integruar dhe inovativ, ku pronësia industriale luan një rol kyç në zhvillimin ekonomik dhe nxitjen e sipërmarrjes.
Shqipëria dhe Çekia forcojnë bashkëpunimin në fushën e Pronësisë Industriale
Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale e Republikës së Shqipërisë 🇦🇱 dhe Drejtoria e Pronësisë Industriale e Republikës së Çekisë 🇨🇿 kanë nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi, duke hedhur bazat për një bashkëpunim të zgjeruar dhe afatgjatë në fushën e pronësisë industriale.
Ky memorandum synon të forcojë kapacitetet institucionale dhe rregullatore, duke krijuar mundësi konkrete për shkëmbimin e njohurive dhe eksperiencave më të mira. Fushat kryesore të bashkëpunimit përfshijnë:
· Përmirësimin e legjislacionit dhe harmonizimin e tij me praktikat më të mira evropiane;
· Shkëmbimin e informacionit mbi zhvillimet dhe politikat në fushën e pronësisë industriale;
· Trajnime dhe programe zhvillimi për profesionistët dhe aktorët e interesuar në këtë sektor;
· Organizimin e konferencave, seminareve dhe workshop-eve për të nxitur inovacionin.
Ky bashkëpunim i ri do të kontribuojë në krijimin e një ekosistemi të fortë të pronësisë industriale, duke mbështetur bizneset, shpikësit dhe akademinë në të dy vendet.
Vizita Studimore e Zyrës Greke të Pronësisë Industriale në Tiranë
Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale (DPPI) priti në Tiranë një delegacion nga Zyra Greke e Pronësisë Industriale të Republikës së Greqisë, në kuadër të bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve tona.
Përbërja e Delegacionit:
z. Panagiotis Kanellopoulos – Drejtor i Përgjithshëm i Zyrës Helenike të Pronësisë Industriale
znj. Catherine Margellou – Zëvendësdrejtoreshë e Përgjithshme dhe Drejtore e Mbështetjes Ligjore
znj. Myrto Lambrou Maurer – Përgjegjëse për Çështjet Ndërkombëtare
Delegacioni u mirëprit nga znj. Maria Solis Kapedani, Drejtor i Përgjithshme i Komanduar i DPPI-së, së bashku me drejtorët e drejtorive dhe departamenteve përkatëse.
Bashkëpunimi me Zyrën Greke:
DPPI ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Zyrën Greke të Pronësisë Industriale, me qëllim forcimin e marrëdhënieve institucionale dhe shkëmbimin e përvojave në fushën e pronësisë industriale.
Objektivat e Vizitës:
Shkëmbimi i praktikave më të mira mbi proceset e digjitalizuara të aplikimeve
Raportet e kërkimit dhe procedurat e ekzaminimit
Diskutime mbi përditësimet ligjore dhe shkëmbimi i informacionit mbi legjislacionin e pronësisë industriale
Ky bashkëpunim ndihmon në rritjen e kapaciteteve institucionale dhe përmirësimin e shërbimeve për inovatorët dhe bizneset.
Marrëveshje Bashkëpunimi mes Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale dhe Bashkisë Lezhë
Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale (DPPI) dhe Bashkia Lezhë kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit dhe mbështetjes për bizneset lokale.
Marrëveshja u nënshkrua nga znj. Maria Solis Kapedani, Drejtor i Përgjithshëm i Komanduar i DPPI dhe z. Pjerin Ndreu, Kryetar i Bashkisë Lezhë.
Objektivat kryesore të kësaj marrëveshjeje përfshijnë: Rritjen e ndërgjegjësimit të biznesit për të drejtat që ata gëzojnë në lidhje me markën tregtare, disenjot industriale dhe treguesit gjeografikë të regjistruar. Përgatitjen e materialeve promovuese dhe broshurave që do të shpërndahen në mjediset e Bashkisë Lezhë.
Ky hap i rëndësishëm do të ndihmojë në forcimin e mbrojtjes së pronësisë industriale dhe promovimin e mundësive për bizneset në rajonin e Lezhës.
Është nënshkruar sot marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Drejtorit të Përgjithshëm të Komanduar të Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale znj. Maria Solis Kapedani dhe Rektorit të Kolegjit Universitar Logos z. Ilia Ninka.
Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është promovimi i pronësisë industriale nëpërmjet shkëmbimit të informacioneve midis dy institucioneve, informimin dhe sensibilizimin e studentëve, stafit akademik shkencor, shpikësve, profesionistëve të përfshirë në punë kërkimore shkencore lidhur me rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave të pronësisë industriale.
Në vijim të kësaj Marrëveshje Bashkëpunimi, Drejtoria e Përgjithshme e Pronesisë Industriale do të organizojë konferenca të përbashkëta, leksione të hapura, seminare, sesione trajnimesh (workshops), dhe të ofrojë për studentët, trajnime brenda dhe jashtë vendit, internshipe, pranë mjediseve të DPPI-së ose Kolegjit Universitar Logos.
Nënshkruhet Marrëveshja e Bashkëpunimit midis Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale, përfaqësuar nga Drejtori i Përgjithshëm znj. Rovena Beqiraj dhe Universitetit “Eqerem Çabej” përfaqësuar nga Rektori Z. Bektash Mema.
Qëllimi i nënshkrimit të kësaj marrëveshje, është ngritja e Qendrës së Informacionit Tekniko- Shkencor pranë këtij universiteti, edukimin e të rinjve në fushën e pronësisë industriale duke nxitur krijimtarinë dhe inovacionin, si dhe zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta si seminare, konferenca, ekspozita, trajnime të ndryshme që kanë për qëllim ndërgjegjësimin e studentëve, stafit akademik dhe kërkimor-shkencor për rolin që ka mbrojtja e të drejtave mbi shpikjet në zhvillimin e shkencës dhe teknologjisë në vend.
Me këtë rast, përfaqësuesit e DPPI ofruan një orë leksioni informative në fushën e pronësisë intelektuale dhe industriale duke u fokusuar me shumë te patentat për shpikje.
Gjithashtu studentët u njohën me ESPASNET – një motor kërkimi në gjuhën shqipe, (bërë i mundur nga bashkëpunimi me Zyrën Europiane të Patentave)ku studentët mund të kërkojnë për shpikje të ndryshme sipas fushave, kërkim i cili mund tu shërbejë për punimet e tyre të diplomës.
Më datë 9 Maj 2024 në ambjentet e Fakultetit të Drejtësisë nënshkruam marrëveshjen e bashkëpunimit, ku palët ranë dakord se Pronësia Industriale është një shtyllë e rendësishme për ngritjen dhe zhvillimin e një veprimtarie të qëndrueshme ekonomike.
Marreveshja u nënshkrua nga dy titullarët e institucioneve konkretisht Znj. Rovena Beqiraj, Drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale dhe Prof. As. Dr. Dorina Hoxha, Dekan i Fakultetit të Drejtësisë.
Qëllimi i kësaj marrëveshje konsiston në zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta si: seminare, konferenca , trajnime brenda vendit, internshipe, leksione te hapura, praktika mësimore apo takime, që kanë për qëllim informimin dhe sensibilizimin e studentëve në fushën e pronësisë industriale.
DPPI, i konsideron Institucionet e Arsimit të Lartë, institucione partnere për të nxitur inovacionin dhe kërkimin shkencor tek brezat e së ardhmes.
Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale, e përfaqësuar nga Drejtori i Përgjithshëm, znj. Maria Solis Kapedani, dhe Universitetit Europian i Tiranes i përfaqësuar nga Administratori z. Tildi Çadri, nënshkruan sot, në mjediset e universitetit, Memorandumin e Bashkëpunimit.
Ky Memorandum do të sjellë përfitime për studentët dhe stafin akademik, kryesisht për Fakultetet e Inxhinierisë, Artet, Shkencat e Drejtësisë, por edhe për DPPI-në dhe për mbrojtjen që vjen me regjistrimin e objekteve të PI-së.
Drejtori i Pergjithshem i DPPI-se Znj. Maria Solis Kapedani u shpreh se ky Memorandum Bashkëpunimi do të hapë rrugën për studentët, jo vetëm në mbrojtjen e pronësisë së tyre intelektuale, por edhe në lidhjen mes universitetit, DPPI-së dhe biznesit.
Nga ana e UET, Administratori z. Tildi Çadri u shpreh se kjo marrëveshje është e mirëpritur dhe se leksionet e hapura dhe internshipet do të zhvillohen në vazhdimësi
Është nënshkruar në mjediset e DPPI, marrëveshja e bashkëpunimit mes Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale (DPPI) dhe Western Balkans University (WBU).
Kjo marreveshje është nënshkruar nga Drejtori i Përgjithshëm i komanduar i Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale znj. Maria Solis dhe Presidentit te WBU, Prof.Dr. Ferdinand Gjana.
Qëllimi i kësaj marreveshjeje është organizimi i leksioneve të hapura dhe aktiviteteve të përbashkëta, simpoziume shkencore, konkurse me studentët e universitetit dhe stafin akademik për ndërgjegjësimin e tyre në fushën e të drejtave të Pronësisë Industriale.