Znj. Rudina Bollano
Drejtor i Përgjithshëm i Komanduar i Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale, Znj. Rudina Bollano
Për më shumë se dy dekada, Znj. Rudina Bollano është një nga figurat qëndrore të Sistemit Kombëtar të Mbrojtjes së Pronësisë Intelektuale në Shqipëri. Si drejtuese në nivele të larta të DPPI-së që prej vitit 2006, ajo ka garantuar shërbime profesionale, cilësi dhe transparencë në çdo proces, duke e shndërruar institucionin në një pikë referimi për standarde evropiane.
Me vizion strategjik, Znj. Bollano ka udhëhequr transformimin e plotë të proceseve të ekzaminimit të patentave dhe markave, duke kontribuar në anëtarësimin e suksesshëm të Shqipërisë në Organizatën Evropiane të Patentave (EPO) në 2010 si dhe në digjitalizimim e shërbimeve publike në kohë rekord. Këto arritje kanë reduktuar burokracinë, kanë përshpejtuar shërbimet dhe kanë rritur besueshmërinë e sistemit.
Për 10 vite, Znj. Bollano ka përfaqësuar Shqipërinë në Organizatën Botërore të pronësisë Intelektuale (WIPO) dhe Organizatën Europiane të Patentave (EPO) duke qenë pjesë e negociatave ndërkombëtare dhe përfaqësuese e Shqipërisë në organet vendimmarrëse të këtyre Organizatave.
Ajo ka ndërtuar ura të forta bashkëpunimi me institucionet, duke ndihmuar në forcimin e kapaciteteve kombëtare dhe duke dhënë kontributin e saj që pronësia industriale te shndërrohet në një motor zhvillimi ekonomik të vendit.
E diplomuar fillimisht në Shkencat e Natyrës për Matematikë(Msc), (Universiteti i Tiranës, 1993), dhe më pas për Shkenca Ekonomike, Matematikë të Aplikuar në Financë (BSc)(2007) dhe master i nivelit të dytë për Menaxhim & Marketing Ndërkombëtar me fokus në Pronësinë Industriale (2012) — ajo ka plotësuar më tej formimin me trajnime të avancuara në Zyren Amerikane te patentave dhe markave(USPTO), Organizatën Botërore të Pronësise Intelektuale(WIPO), Organizatën Europiane të Patentave (EPO), Organizatën Europiane për Pronësi Intelektuale (EUIPO) dhe institucione prestigjioze botërore të pronësisë intelektuale.