Procesi i integrimit i Shqipërisë në Bashkimin Europian

Procesi i integrimit i Shqipërisë në Bashkimin Europian (BE) është konsideruar si prioriteti më strategjik kombëtar, i cili udhëheq axhendën qeverisëse të vendit. Që nga qershori i viti 2014, Shqipëria gëzon statusin e vendit kandidat për në BE. Megjithatë kriteret e vendosura nga Bashkimi Europian për anëtarësim janë parakushte për kalimin e fazës tjetër të procesit, i cili është ai i hapjes së negociatave.
Bashkimi Europian mori zotimin për tu zgjeruar në Ballkanin Perëndimor në Samitin e Selanikut në Qershor të 2003-it, ku Shqipëria, së bashku me vendet e tjera të rajonit u identifikuan si vendet kandidate potenciale për anëtarësim.

Në qershor të 2006-tës, Shqipëria nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim dhe Asocimit, e cila hyri në fuqi në prill të vitit 2009. Kjo marrëveshje zëvendësoi marrëveshjen e mëparshme me Komunitetin Ekonomik Evropian mbi tregtinë dhe bashkëpunimin ekonomik dhe atë tregtar, nënshkruar në maj të vitit 1992.
Objektivi i kësaj qasje të re politike të BE-së ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor lidhet me rritjen e stabilitetit rajonal dhe parapërgatitjen e vendeve të rajonit për t’u integruar në Bashkimin Europian.

Në dhjetor të vitit 2010, hyri në fuqi marrëveshja për heqjen e regjimit të vizave, duke lejuar qytetarët shqiptarë të udhëtojnë pa viza në Zonën Shengen.
Në 2009-tën, Shqipëria gjithashtu paraqiti kërkesën e saj zyrtare për antarësim në Bashkimin Europian. Komisioni Evropian paraqiti një Opinion (në vitin 2010), me kërkesën e Këshillit Europian në lidhje me aplikimin për anëtarësim, duke vlerësuar se Shqipëria kishte ende për të përmbushur 12 prioritetet kyçe, në mënyrë që të arrinte një shkallë të nevojshme të pajtueshmërisë me kriteret e anëtarësimit .

Në tetor të vitit 2012, Komisioni rekomandoi që Shqipërisë t’i jepej statusi i kandidatit të BE, në varësi të përfundimit të reformave, veçanërisht në fushat e reformës së gjyqësorit dhe administratës publike.

Në qershor të vitit 2014, Këshilli Europian i dha Shqipërisë statusin e kandidatit. Marrja e statusit të vendit kandidat shënon një hap shumë të rëndësishëm në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, pasi reflekton ecurinë e reformave të ndërrmara dhe i hap rrugë procesit të plotë të aderimit të vendit në BE.
Pas përmbushjes së këtyre 5 prioriteteve, detyra e Shqipërisë gjatë procesit të negociatave bëhet miratimi dhe vënia në zbatim e të gjithë acquis të BE-së, të cilat ndahen në 35 kapituj, ecuria për secilën prej tyre monitorohet dhe vlerësohet nga Komisioni Evropian.
Vetëm pasi bisedimet dhe reformat shoqëruese kanë përfunduar në mënyrë të kënaqshme për të dyja palët (Shqipëri dhe BE), vendi mund t’i bashkohet unionit.

Hapja e Negociatave

Hapja zyrtare e negociatave me Shqipërinë u vendos më 2020, pas një periudhe të gjatë të vlerësimit të përparimit nga ana e Këshillit të BE-së. Kjo u pasua nga Konferenca e Parë Ndërqeveritare në vitin 2022, duke shënuar fillimin formal të procesit të negociatave.

Kapitulli 7 “Pronësia Intelektuale” – kapitull që drejtohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale në cilësinë e Sekretariatit Teknik të këtij kapituli ka përmbyllur me sukses takimi bilaral Shqipëri –BE në 19-20 Janar 2023 në Bruksel.

Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është një proces gjithëpërfshirës mbarëkombëtar me ndikim në të gjithë shoqërinë shqiptare. Në përputhje me VKM nr. 749 datë 19.12.2019 “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e strukturës shtetërore përgjegjëse për zhvillimin e negociatave dhe përfundimin e Traktatit të Aderimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, Platforma e Partneritetit për Integrimin Evropian (PPIE) është mekanizmi kryesor për informimin, konsultimin, komunikimin dhe përfshirjene shoqërisë civile, grupeve të interesit, sindikatave, botës akademike dhe organeve të njësive të vetëqeverisjes vendore në procesin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, si dhe në procesin e stabilizim-asociimit.
Për qëllime të procesit të negociatave, acquis i BE-së ndahet në 36 kapituj negociues (fusha politikash). Procesi fillon me vlerësimin analitik të afërsisë së legjislacionit me acquis, i njohur ndryshe si procesi i vlerësimit.

- Hapat e procesit

1.Vlerësimi shpjegues

Vlerësimi shpjegues (explanatory screening): Komisioni Evropian shpjegon acquis të BEsë, i cili është trupi i të drejtave dhe detyrimeve të përbashkëta që lidhin anëtarët e BE-së, për Shqipërinë.

2.Vleresimi bilateral

Vleresimi bilateral (bilateral screening): Shqipëria paraqet nivelin e saj të përputhshmërisë me acquis të BE-së dhe shpreh gatishmërinë e saj për ta përputhur plotësisht atë në të ardhmen. Për shkak të kohës së kaluar që nga vlerësimi i parë sqarues, u pa e nevojshme një përditësim për ndryshimet në acquis të BE-së nga viti 2019 e këtej.

3.Raporti i vlerësimit

Raporti i vlerësimit: Pas vlerësimit bilateral, Komisioni Evropian (KE) përgatit një raport vlerësimi. Ky raport i paraqitet shteteve anëtare të BE-së dhe përfshin gjetjet për çdo kapitull. Ai përfundon me një rekomandim për hapjen e negociatave direkt apo plotësimin e disa kushteve fillimisht.

4.Kriteret e hapjes

Kriteret e hapjes (Open benchmarks): Nëse raporti i vlerësimit rekomandon plotësimin e kushteve të caktuara para fillimit të negociatave, këto vendosen si kritere hapjeje.

5.Pozicionet negociuese

Pozicionet negociuese: Para fillimit të negociatave, Shqipëria duhet të paraqesë pozicionet e saj negociuese. BE-ja, nga ana tjetër, adopton një pozicion të përbashkët.

6.Kriteret ndërmjetëse/mbyllëse

Kriteret ndërmjetëse/mbyllëse (Interim/closing benchmarks): Për shumicën e kapitujve të politikës, BE-ja vendos kritere ndërmjetëse ose mbyllëse që Shqipëria duhet t'i përmbushë para se të mbyllen negociatat në atë fushë specifike të politikës.

7.Përfundimi i negociatave dhe anëtarësimi në BE

Përfundimi i negociatave dhe anëtarësimi në BE: Anëtarësimi i Shqipërisë në BE përfundohet kur të gjitha negociatat dhe reformat shoqëruese janë përfunduar në mënyrë të kënaqshme nga të dyja palët.