Pronësia industriale në Shqipëri i ka fillimet e saj qysh në vitin 1920. Nga burimet arkivore të kohës mësojmë se tregtarët shqiptarë kanë qenë të ndjeshëm ndaj ruajtjes së produkteve të tyre nga falsifikatorët. Për të realizuar këtë, ata kërkonin mbrojtjen e prodhimeve të tyre me anë të regjistrimit të markës. Çertifikata e parë për markë tregtare daton në 16 prill të vitit 1920, lëshuar për markën “HOBDARI”.

Kjo markë u përdor për produktet e kompanisë “Hobdari” e cila krijoi fabrikën e sapunit, që nga fillimi i vitit 1914. Në këtë periudhë janë mbrojtur një numër i madh markash tregtare të huaja në Shqipëri. Regjistrimi i markave tregtare ishte në fuqi deri në vitin 1944. Në vitin 1957, qeveria e asaj kohe, me vendimin e vet, njohu regjistrimin e markave të huaja në Republikën e Shqipërisë.

Në këtë kohë ishte Byroja e Regjistrimit të Markave pranë Dhomës së Tregtisë, nën varësinë e Ministrisë së Tregtisë së Jashtme, institucioni përgjegjës për regjistrimin e markave. Kjo Byro plotësonte dokumentacionin përkatës në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi “Dekreti nr. 2490 datë 22.07.1957, ndryshuar me dekretet nr. 3530 datë 02.07.1962 e Nr. 4253 datë 11.04.1967 ”Për Markat e Prodhimit dhe Tregtisë”.

Ky dekret parashikonte edhe kriteret për regjistrimin e markave të prodhimit nga ndërmarrjet shtetërore. Për sa i përket patentave për shpikjet, në Republikën e Shqipërisë nuk ishte dhënë asnjë patentë shqiptare për shpikje, si dokument fizik i lëshuar konform standardeve (ligjeve) mbi të cilat veprohej në vendet e tjera apo nga organizmat e specializuara ndërkombëtare në këtë fushë. Ligji Nr. 3029, dt. 12.01.1960, i jepte të drejtë shpikësit të shfrytëzonte shpikjen e tij në mënyrë ekskluzive.

Me Dekretin Nr. 4548, dt. 3.10.1960, Ligji i mësipërm u shfuqizua. Sipas këtij Dekreti, shpikësit i njihej vetëm dëshmia e shpikjes, por jo e drejta ekskluzive e përdorimit të saj, e cila tashmë i kalonte shtetit. Kjo bëri që në Shqipëri të ndërpritej regjistrimi i patentave të huaja. Me Dekretin Nr. 7316, datë 20.7.1989, të Kodit Civil të Republikës së Shqipërisë u shtua Neni 333A, i cili parashikonte mundësinë e regjistrimit e të mbrojtjes së patentave për shpikje të nënshtetasve të huaj 4 në vend dhe deri në vitin 1994, rregullimi i veprimtarisë në këtë fushë (vetëm sa i takon regjistrimit të patentave të huaja për shpikje) bëhej në bazë të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 393, datë 17.11.1990 “Për mënyrën e regjistrimit të patentave për shpikjet e realizuara jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë”, që përfaqësonte në vetvete thjesht, një akt nënligjor.

Mungesa e legjislacionit mbi patentat për shpikje apo më gjerë mbi pronësinë industriale, përbënte një pengesë themelore të zhvillimit të sistemit të pronësisë industriale në vend. Gjithashtu, në Republikën e Shqipërisë mungonin botimet dhe tekstet mbi pronësinë industriale dhe nevojitej një staf i kualifikuar për të ngritur zyrën e pronësisë industriale në vend, për këtë arsye u pa i domosdoshëm anëtarësimi në Organizatën Botërore të Pronësisë Intelektuale (OBPI), si dhe suporti dhe asistenca teknike e saj.

Në këto kushte, nisur dhe nga zhvillimet e kohës, kur vendi ynë do të hynte në rrugën e ekonomisë së tregut, me pjesëmarrjen në takimin “Task Force Meeting in the framework of UNDP Regional Program for the Fifth Cycle (1992 – 1996)”, 30 Sept. – 4 Oct. 1991, Celakovice, Czechoslovakia, përfaqësuesit e Komitetit të Shkencave dhe Teknologjisë, parashtruan nevojën për një ndihmë emergjente për Republikën e Shqipërisë përmes një projekti të UNDP për ngritjen e institucioneve në fushën e pronësisë industriale.

Në këtë mbledhje u vendosen kontaktet e para me përfaqësuesit e OBPI dhe këta të fundit u angazhuan për të filluar menjëherë projektin e propozuar për vendin tonë. Pas këtij takimi Dr. Inxh. Fatos Dega, Drejtor në Komitetin e Shkencave dhe Teknologjisë, kreu studimin “Mbi gjendjen e sistemit të pronësisë industriale në Shqipëri dhe disa probleme të zhvillimit të tij në të ardhmen”, datë 13/02/1992. Studimi shërbeu si material ndihmës për Kryetarin e Komitetit të Shkencës dhe Teknologjisë, Prof. Dr. Petrit Skënde, fizikan, gjatë vizitës në selinë e OBPI në Gjenevë dhe takimit të tij me z. Arpad Bogsch, Drejtor i Përgjithshëm i OBPI në Shkurt të vitit 1992.

Propozimi dhe materiali i paraqitur nga delegacioni shqiptar u prit me mjaft entuziazëm nga OBPI dhe menjëherë filloi puna për përgatitjen e bazës ligjore për ngritjen e zyrës së patentave shqiptare dhe për anëtarësimin e Republikës së Shqipërisë në OBPI, me qëllim që të mundësohej suporti nga kjo organizatë për ngritjen e sistemit të pronësisë industriale. Depozitimi nga Qeveria Shqiptare i instrumentit të aderimit të Shqipërisë në “Konventën e Themelimit të Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale ”, u krye në Mars të vitit 1992, që hyri në fuqi më datë 30.06.1992. Që nga kjo datë, Republika e Shqipërisë u bë vend anëtar me të drejta të plota i OBPI.

Kështu, më datë më 22 Mars të vitit 1993 me vendimin e Këshillit të Ministrave për themelimin e Zyrës së Patentave për Shpikje, me propozim të Komitetit të Shkencës dhe Teknologjisë u themelua “Zyra e Patentave Për Shpikje”, e cila u ngrit dhe funksionoi për shumë vite pranë këtij komiteti.

Me zhvillimet e mëtejshme u krye edhe aderimi në Konventën e Parisit “Për mbrojtjen e Pronësisë Industriale”, e miratuar në Paris më 20 Mars të vitit 1883, hyrë në fuqi në Republikën e Shqipërisë, më 4 Tetor të vitit 1995, e cila një nga traktatet e para në botë për pronësinë industriale, e cila krijon një bashkim të rregullave dhe parimeve për trajtimin e pronësisë industriale nga vendet anëtare, si dhe vijoi aderimi në pjesën më të madhe të marrëveshjeve të tjera ndërkombëtare mbi mbrojtjen ndërkombëtare të markave tregtare, disenjove industriale, dhe patentave për shpikjet. Gradualisht u përmirësuan edhe kapacitetet administrative dhe institucionale të Zyrës.

Në vitin 2000, Zyra mori emërtimin “Drejtoria e Patentave dhe Markave” dhe veprimtaria e saj si institucion qendror publik, ishte në varësi të Këshillit të Ministrave, bazuar në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 313 datë 13.06.2000, “Për Funksionimin e Drejtorisë së Patentave dhe Markave”. 6 Me ligjin nr. 9525 datë 25.04.2006, Drejtoria e Patentave dhe Markave bëhet institucion publik në varësi të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.

Aktiviteti i saj përcaktohej dhe rregullohej nga Ligji “Për Pronësinë Industriale” dhe rregulloreve për objektet e pronësisë industriale. Me anë të Ligjit nr. 9947 datë 07.07.2008 “Për Pronësinë Industriale” i ndryshuar, u emërtua si “Drejtoria e Përgjithshme e Patentave dhe Markave” cili ishte një institucion publik, në varësi të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes. Më datë 1 Maj 2010, Republika e Shqipërisë aderoi në “Konventën për Patentat Evropiane” dhe tashmë është shtet anëtar në Organizatën Evropiane të Patentave.

Vlen të përmendet që bashkëpunimi i DPPI me Zyrën Evropiane të Patentave (ZEP) daton që në vitin 1995, kur Shqipëria nënshkroi marrëveshjen për shtrirjen e Patentave Europiane në vendin tonë. Me ndryshimet në Ligjin Nr. 9947 datë 07.07.2008 “Për Pronësinë Industriale”, i ndryshuar, në 25 Mars të vitit 2017 ky institucion, hyn në një fazë të avancuar të reformimit të tij duke modernizuar sistemin e mbrojtjes së objekteve të pronësisë industriale në Republikën e Shqipërisë, me standarde të njëjta me ato të Bashkimit Evropian.

Aktualisht, institucioni mban emërtimin “Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale”, emërtim ky, i vënë me qëllim gjithëpërfshirjen e aktivitetit të saj për regjistrimin e të gjitha objekteve të pronësisë industriale dhe funksionon si agjenci autonome nën mbikëqyrjen e ministrit përgjegjës për ekonominë.

Dokumentar për 30-vjetorin e DPPI