Prishtinë | Takim Zyrtar Bilateral në Fushën e Pronësisë Industriale.
 
Zhvilluam në Prishtinë një takim zyrtar bilateral ndërmjet Drejtorit të Përgjithshëm të Komanduar të Agjencisë për Pronësi Industriale të Republikës së Kosovës, z. Avdi Krasniqi, dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Komanduar të Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale, të Republikës së Shqipërisë, znj. Rudina Bollano.
 
Takimi u mbajt në kuadër të zbatimit të Marrëveshjes së Bashkëpunimit të nënshkruar ndërmjet dy institucioneve homologe, me qëllim forcimin dhe thellimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e pronësisë industriale. Për zbatimin e kësaj marrëveshje është krijuar Komiteti i Monitorimit i cili përbëhet nga përfaqësues të dy institucioneve përkatëse.
 
Gjatë takimit, ky Komitet u fokusua mbi:
 
 • shkëmbimin e përvojave institucionale 
 • harmonizimin e praktikave administrative 
 • rritjen e kapaciteteve profesionale 
 • nisma konkrete për trajnime dhe ndërgjegjësim për vitin 2026 si dhe përfshirjen në inciativa të përbashkëta.
Takimi rikonfirmoi angazhimin e ndërsjellë për intensifikimin e bashkëpunimit institucional dhe forcimin e mëtejshëm të sistemit të pronësisë industriale në të dy vendet, në përputhje me standardet ndërkombëtare.
 
Vlerësojmë maksimalisht bashkëpunimin e frytshëm me kolegët e Agjencisë për Pronësi Industriale të Kosovës.
Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale (DPPI), në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Pronësisë Intelektuale (WIPO), organizoi një seminar  mbi Sistemin Ndërkombëtar të Patentimit PCT, me qëllim rritjen e kapaciteteve profesionale dhe ndërkombëtarizimin e inovacionit shqiptar.
 
Më datat 16–17 dhjetor 2025, seminari u zhvillua me stafin e DPPI-së, si dhe me përfaqësues nga Zyra e Pronësisë Industriale e Maqedonisë së Veriut, duke shërbyer si një platformë e rëndësishme për shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira në fushën e pronësisë industriale.
 
Më 18 dhjetor 2025, aktiviteti vijoi me sesione informuese me përfaqësues nga universitetet, qendrat e inovacionit dhe agjencitë e inovacionit, nën temën “Taking Albanian Innovation Global with the International Patent System of the PCT”, duke synuar afrimin e sistemit PCT me komunitetin akademik dhe inovatorët.
 
Qëllimi i këtij seminari ishte forcimi i njohurive mbi procedurat ndërkombëtare të patentimit, rritja e ndërgjegjësimit për rëndësinë e mbrojtjes së shpikjeve dhe promovimi i përdorimit të sistemit PCT si një mjet strategjik për daljen e inovacionit shqiptar në tregjet globale.
 
Aktiviteti u përshëndet nga Drejtori i Përgjithshëm i Komanduar I DPPI-së, znj. Bollano, e cila e vlerësoi maksimalisht këtë seminar si një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e njohurive dhe aftësive profesionale në fushën e pronësisë industriale.
 
Ky seminar përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt ndërkombëtarizimit të inovacionit shqiptar dhe forcimit të kapaciteteve profesionale në fushën e pronësisë industriale.
Përmbyllen me sukses trajnimet mbi Pronësinë Industriale! 
 
Trajnimet e fundit për këtë vit u zhvilluan në Universitetin “Luigj Gurakuqi” Shkodër dhe Universitetin “Fan S. Noli” Korçë, në kuadër të marrëveshjeve të bashkëpunimit në fushën e Pronësisë Industriale.
 
Qëllimi i këtyre trajnimeve ishte fuqizimi i njohurive të studentëve dhe stafit akademik mbi mbrojtjen e ideve inovative, patentave dhe markave, si dhe nxitja e një kulture të fortë inovacioni në universitete.
 
Feedback-u nga pjesëmarrësit ishte tejet pozitiv, duke vlerësuar përmbajtjen praktike dhe qasjen interaktive të sesioneve.
 
Këto aktivitete shënuan përmbylljen e suksesshme të ciklit të trajnimeve për këtë vit, duke hedhur bazat për iniciativa të reja në të ardhmen.
Trajnim mbi pronësinë industriale dhe patentat për shpikje.
 
Më datat 2–4 Dhjetor 2025, DPPI zhvilloi një trajnim informues me studentët e Universitetit “Eqerem Çabej”.
 
Studentët u njohën me: konceptet bazë të pronësisë industriale, procedurat e marrjes së një patente për shpikje, rëndësinë e mbrojtjes së krijimeve inovative, shembuj praktikë nga fusha e mjekësisë dhe teknologjive biomjekësore. Takim zyrtar në Universitetin “Eqerem Çabej”, Gjirokastër
Në kuadër të zbatimit të Strategjisë Kombëtare të Pronësisë Intelektuale 2022–2025, përfaqësuesit e DPPI-së zhvilluan një takim me Rektorin e Universitetit “Eqerem Çabej”, z. Jaho Canaj.
Gjatë takimit u diskutua mbi: bashkëpunimin ndërinstitucional, rritjen e ndërgjegjësimit të studentëve për pronësinë industriale, zhvillimin e iniciativave të përbashkëta akademike dhe trajnimeve të vazhdueshme.
Rektori shprehu mbështetjen e plotë për nisma që synojnë avancimin profesional të studentëve dhe ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e mbrojtjes së objekteve të PI-së si mjet për nxitjen e inovacionit në mjedisin universitar.
 
DPPI vijon të mbështesë nxitjen e inovacionit dhe mbrojtjen e të drejtave të PI-së në arsimin e lartë.
Argjendari PIRRO ka regjistruar me sukses 15 disenjo industriale pranë DPPI, duke siguruar mbrojtje të plotë ligjore për një gamë të gjerë krijimesh origjinale.
 
Këto disenjo përfshijnë:
 
Simbole grafike
Logo unike
Ornamente dekorative për ambiente të brendshme
Kapëse dhe elemente bizhuterie
Motive artistike
Ora dhe ora dore
 
Ky është një shembull i shkëlqyer se si sipërmarrësit shqiptarë po investojnë në krijimtari, identitet unik dhe mbrojtje të pronësisë industriale, duke forcuar pozicionin e tyre në treg dhe rritur vlerën e produkteve të tyre.
Misioni i ekspertëve të WIPO për mbështetjen e brandimit dhe komercializimit të Treguesit Gjeografik “Vaji i Ullirit Valmi Elbasan” po zhvillohet në Shqipëri në datat 9–12 dhjetor 2025.
Ekipi përbëhet nga ekspertët Pascal Bernandoni, Virag Halgand dhe Brunhilda Stamo. Projekti do të zgjasë 1 vit, duke synuar rezultate konkrete për prodhuesit dhe institucionet.
 
Në takimin e mbajtur në DPPI u diskutua mbi ecurinë e deritanishme, fazat kryesore dhe bashkëpunimin institucional për forcimin e sistemit të TGJ-ve në Shqipëri.
 
Gjatë misionit, ekipi zhvilloi takime me AIDA, Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë (CCIT), Shoqatën e Hoteliereve, si dhe ALSIP.
 
Misioni zhvillohet në bashkëpunim mes WIPO, DPPI dhe institucioneve kombëtare, me fokus rritjen e kapaciteteve dhe mbështetjen konkrete për prodhuesit e TGJ-ve gjatë gjithë periudhës së projektit.
 
 Aktualisht, ekspertët po kryejnë vlerësimin e situatës aktuale dhe identifikimin e aktorëve kryesorë, si hap i parë drejt zbatimit të plotë të projektit njëvjeçar.
Shqipëria dhe Bullgaria nënshkruajnë marrëveshjen e bashkëpunimit në fushën e Pronësisë Industriale
Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale (DPPI) e Shqipërisë dhe Zyra e Pronësisë Industriale të Bullgarisë kanë nënshkruar një marrëveshje të re bashkëpunimi, e cila synon të rrisë nivelin e shkëmbimit teknik dhe institucional mes dy vendeve.
Marrëveshja u nënshkrua nga Drejtor i Përgjithshëm i Komanduar në DPPI-së, znj. Rudina Bollano dhe znj. Olya Dimitrova, Presidente e Zyrës së Patentave të Bullgarisë.
 Çfarë parashikon marrëveshja?
  • Shkëmbim informacioni mbi legjislacionin, praktikat më të mira dhe zhvillimet më të fundit në fushën e pronësisë industriale.
  • Trajnime të ndërsjella për stafet teknike dhe administrative të të dy institucioneve.
  • Organizimin e seminareve, konferencave dhe tryezave të rrumbullakëta, me fokus te inovacioni dhe roli i pronësisë industriale në zhvillimin ekonomik.
  • Rritjen e kapaciteteve institucionale dhe bashkëpunim në projekte të përbashkëta me interes të ndërsjellë.
 Angazhim i përbashkët për inovacion dhe zhvillim
Të dy palët ri-konfirmuan rëndësinë e forcimit të mbrojtjes së të drejtave të pronësisë industriale si një komponent kyç për nxitjen e inovacionit, zhvillimit ekonomik dhe integrimit ndërkombëtar.
Memorandumi hyn në fuqi menjëherë dhe do të ketë një afat pesëvjeçar, me mundësi rinovimi pas përfundimit të tij.
Ky hap përfaqëson një angazhim të qartë të Shqipërisë për forcimin e sistemit të pronësisë intelektuale dhe thellimin e bashkëpunimit teknik e institucional me partnerët evropianë.
original-1A0F70FF-F6A3-498F-A078-F87B2A47C95A
Patentë europiane për shpikësin shqiptar Arben Mani
Shpikësi shqiptar Arben Mani merr patentë ndërkombëtare për “Hydra-Mechanical Dual Engine” — një sistem revolucionar që bashkon mekanikën dhe energjinë elektrike.
Data e publikimit: 24 shtator 2025
Referencë zyrtare në Regjistrin Europian të Patentave:

 
Një arritje me firmë shqiptare
Shpikësi Arben Mani ka siguruar patentën për një motor të avancuar të quajtur “Hydra-Mechanical Dual Engine”, një sistem që mund të ndryshojë mënyrën se si prodhohet dhe përdoret energjia mekanike në dekadat e ardhshme.
Ky motor përfaqëson një koncept të ri në inxhinierinë e lëvizjes, duke kombinuar dy burime fuqie – djegien e brendshme dhe energjinë elektrike – në një strukturë unike hidrauliko-mekanike.
Titulli i patentës:
CLOSED CYCLE DOUBLE TURBINE / DOPPELTURBINE MIT GESCHLOSSENEM KREISLAUF / TURBINE DOUBLE À CYCLE FERMÉ
(“Turbina e Dyfishtë me Qark të Mbyllur”)
 
Si funksionon teknologjia “Hydra-Mechanical Dual Engine”
Në thelb të shpikjes qëndron ideja e përbashkimit të dy sistemeve të ndryshme të energjisë në një mekanizëm të vetëm.
Lëvizja e pistonëve mund të gjenerohet nga procesi i djegies së brendshme ose nga energjia elektrike.
Në vend të lidhjes tradicionale mekanike midis pistonit dhe boshtit, përdoret ndërveprimi hidraulik midis vajit të pistonit dhe rotorit, i cili lidhet drejtpërdrejt me boshtin e motorit.
Ky sistem rrit ndjeshëm efikasitetin e energjisë, ul konsumimin e karburantit dhe redukon humbjet mekanike, duke e bërë motorin të përshtatshëm si për përdorim konvencional, ashtu edhe për platforma elektrike apo hibride.
 
Aplikime industriale dhe ndikim potencial
Teknologjia “Hydra-Mechanical Dual Engine” mund të përdoret në një gamë të gjerë sektorësh:
  • Transporti rrugor, hekurudhor dhe detar, ku kërkohet fuqi e lartë dhe besueshmëri;
  • Industria e prodhimit të energjisë, si komponent efikas në gjenerimin mekanik;
  • Automjetet hibride dhe elektrike, ku motori mund të punojë tërësisht në modalitet elektrik, duke u kthyer në një sistem të pastër, të qëndrueshëm dhe pa emetime.
Falë fleksibilitetit të boshtit aktiv dhe nivelit të lartë të rrotullimeve, kjo teknologji paraqet potencial të madh për zhvillimet e ardhshme në mobilitetin inteligjent dhe energjinë e gjelbër.
 
Inovacion shqiptar me vizion global
Patentimi ndërkombëtar i kësaj shpikjeje përfaqëson një dëshmi të fuqisë krijuese shqiptare dhe të kontributit të inovatorëve shqiptarë në arenën ndërkombëtare.
Arben Mani, me “Hydra-Mechanical Dual Engine”, sjell një risi që bashkon efikasitetin, qëndrueshmërinë dhe performancën, duke hapur rrugë të reja për zhvillime që mund të transformojnë industrinë e motorëve dhe energjisë.
Në një kohë kur ekonomitë botërore kërkojnë zgjidhje për reduktimin e ndotjes dhe përmirësimin e efikasitetit, shpikje të tilla përfaqësojnë bashkimin ideal midis vizionit shkencor dhe përgjegjësisë mjedisore.
Takim Rajonal në Gjenevë në Kuadër të Asamblesë së 66-të të WIPO
Gjenevë, 10 Korrik 2025 – Në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të 66-të të Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale (WIPO), u zhvillua një takim rajonal mes përfaqësuesve të katër vendeve të Ballkanit Perëndimor – Shqipërisë, Bosnje-Hercegovinës, Malit të Zi dhe Serbisë, me Drejtorin Ekzekutiv të Zyrës së Pronësisë Intelektuale të Bashkimit Evropian (EUIPO), z. João Negrão, dhe ekipin e Bashkëpunimit Ndërkombëtar të kësaj zyre.
Delegacioni shqiptar u përfaqësua nga znj. Maria Solis, Drejtor i Përgjithshëm i komanduar i Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale, dhe znj. Sonila Meka, Drejtor i komanduar i Drejtorisë së Koordinimit, Promovimit, Trajnimeve dhe Analizës.
Gjatë takimit, znj. Solis prezantoi zhvillimet më të fundit në fushën e pronësisë industriale në Shqipëri, duke theksuar:
  • përafrimin e legjislacionit me “acquis” të Bashkimit Evropian,
  • forcimin e bashkëpunimit me EUIPO,
  • dhe zbatimin e Strategjisë Kombëtare të Pronësisë Intelektuale 2022–2025.
Në vijim, u njoftua se në vitin 2026 do të nisë zbatimi i një projekti të ri rajonal për Ballkanin Perëndimor, i financuar nga fondet e para-anëtarësimit të BE-së dhe i zbatuar nga EUIPO. Ky projekt synon:
  • përmirësimin e kuadrit ligjor,
  • forcimin e kapaciteteve institucionale,
  • dixhitalizimin e administratave përkatëse,
  • rritjen e bashkëpunimit rajonal, përfshirë vendet e CEFTA-s,
  • si dhe ndërgjegjësimin mbi rëndësinë dhe vlerën ekonomike të pronësisë intelektuale.
Pjesë e rëndësishme e diskutimeve ishte edhe adresimi i trendeve të reja globale që ndikojnë sistemin e pronësisë intelektuale dhe nevoja për përshtatje strategjike në rajon.
Workshop Online mbi Keqbesimin e Markave Tregtare

Më datë 22 janar 2025, u organizua një workshop online në bashkëpunim me EUIPO, me temën: “TM5 Bad Faith Workshop for WB IPOs”. Objektivi kryesor i këtij workshopi ishte shkëmbimi i eksperiencave midis vendeve anëtare për trajtimin e konflikteve që shkaktohen nga përdorimi në keqbesim të markave tregtare.

Për vitin 2025, EUIPO ka zgjeruar shtrirjen gjeografike dhe ka organizuar këtë seminar të rëndësishëm për Ballkanin Perëndimor, ku Shqipëria është pjesë e këtij grupi, bashkë me Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjë-Hercegovinën.

Në panelin e organizuar, znj. Lineda Arapi, përgjegjëse e sektorit të Markave Tregtare, Disenjove Industriale dhe Treguesve Gjeografikë, paraqiti eksperiencën e Shqipërisë në menaxhimin e rasteve të raportuara për keqbesim të markave. Gjithashtu, Zyra Japoneze e Patentave (JPO) udhëheq këtë projekt për rritjen e ndërgjegjësimit për markat në keqbesim dhe krahasimin e ligjeve dhe praktikave ndërkombëtare.

Ky workshop është një hap i rëndësishëm drejt forcimit të mbrojtjes së markave tregtare dhe sigurisë së tregut.

Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale, njofton të interesuarit se në mbështetje të pikës 3 të nenit, 193/b, të Ligjit nr. 9947, datë 07.07.2008, “Për Pronësinë Industriale”, i ndryshuar, të paraqesin pranë zyrës së protokollit aplikimin e tyre për të kandiduar si anëtarë të Bordit të Apelit.

Gjithashtu në zbatim të pikës 1 të nenit 193/b të ligjit Nr.9947, datë 7.7.2008 “Për Pronësinë Industriale”, i ndryshuar, citohet se: “Bordi i Apelit përbëhet nga pesë anëtarë, nga të cilët dy janë punonjës të DPPI-së dhe tre anëtarë të jashtëm të fushës së PI-së, të cilët plotësojnë kushtet për ekspertë të PI-së. Anëtarët e Bordit të Apelit nuk mund të jenë përfaqësues të autorizuar”.

Me ndryshimet e reja ligjore, parashikohet se pjesë e Bordit të Apelit duhet të jenë dy përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale dhe 3 anëtarë të jashtëm. Duke qënë se në njoftimin e bërë në fund të vitit 2021, u paraqitën vetëm dy kandidatura të jashtme për të qënë anëtarë të Bordit të Apelit, DPPI ri – shpall dhe njëherë njoftimin për kandidatë të jashtëm të cilët shprehin interesin e tyre për të aplikuar si anëtarë të Bordit të Apelit.

Afati për dorëzimin e aplikimeve është deri më datë 20 Janar 2022.