
DPPI dhe DPS nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi për të mbështetur zhvillimin teknologjik dhe ekonomik të vendit
Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale (DPPI) dhe Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit (DPS) kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me synimin për të krijuar një sinergji të re mes dy institucioneve. Marrëveshja u nënshkrua nga znj. Maria Solis Kapedani, Drejtor i Përgjithshëm i Komanduar i DPPI-së, dhe z. Riza Hasanaj, Drejtor i Përgjithshëm i DPS-së.
Kjo nismë synon të nxisë inovacionin dhe zhvillimin teknologjik përmes ndërthurjes së sistemit të pronësisë industriale me standardizimin teknik, duke ofruar një mbështetje më të plotë për ekosistemin ekonomik dhe kërkimin shkencor në Shqipëri.
Qëllimet kryesore të bashkëpunimit përfshijnë:
- Nxitjen e inovacionit dhe aplikimin e standardeve në produktet dhe proceset e reja.
- Harmonizimin e mbrojtjes ligjore të shpikjeve me zbatimin teknik të standardeve.
- Rritjen e ndërgjegjësimit të publikut dhe komunitetit të biznesit për rëndësinë e pronësisë industriale dhe standardizimit.
- Ofrimin e trajnimeve dhe seminareve për grupet e interesit dhe stafet respektive.
- Organizimin e fushatave informuese, panaireve, botimeve të përbashkëta dhe aktiviteteve publike.
Fushat konkrete të bashkëpunimit përfshijnë:
- Shkëmbim të dhënash mbi patentat dhe standardet, sipas rregullimeve ligjore.
- Krijimin e bazave të përbashkëta të të dhënave.
- Konsulencë për produkte të reja të mbrojtura me patentë.
- Hartimin e politikave që mbështesin zhvillimin e qëndrueshëm.
- Përshtatjen me direktivat e Bashkimit Evropian dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.
- Promovim të ndërsjellë në platforma dhe publikime.
Kjo marrëveshje përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një kulture të re teknologjike dhe ligjore në Shqipëri, ku shpikjet dhe produktet inovative mbrohen dhe standardizohen në përputhje me zhvillimet moderne dhe kërkesat e tregjeve ndërkombëtare.