
DPPI dhe AmCham Albania nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi për të mbështetur inovacionin dhe pronësinë industriale
Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale (DPPI) dhe Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri (AmCham Albania) kanë formalizuar një marrëveshje bashkëpunimi për të forcuar ndërgjegjësimin dhe kapacitetet e sipërmarrjeve shqiptare në fushën e pronësisë industriale. Marrëveshja u nënshkrua nga znj. Maria Solis Kapidani, Drejtor i Përgjithshëm i Komanduar i DPPI-së, dhe z. Neritan Mullaj, Drejtor Ekzekutiv i AmCham Albania.
Ky partneritet synon të mbështesë bizneset shqiptare në procesin e njohjes, mbrojtjes dhe promovimit të aseteve të tyre të lidhura me inovacionin dhe konkurrueshmërinë në treg, përmes një qasjeje të koordinuar mes dy institucioneve.
Në një realitet ekonomik në transformim të vazhdueshëm, të drejtat e pronësisë industriale – si markat tregtare, patentat, modelet industriale dhe shpikjet teknologjike – shihen si mjete të domosdoshme për zhvillimin dhe diferencimin strategjik të sipërmarrjeve.
Në kuadër të marrëveshjes, DPPI dhe AmCham do të ndërmarrin një sërë veprimesh konkrete, përfshirë:
-
Konsulencë teknike nga ekspertët e DPPI për anëtarët e AmCham;
-
Organizimin e trajnimeve profesionale dhe sesioneve informuese mbi temat e pronësisë industriale;
-
Zhvillimin e tryezave të përbashkëta me aktorë të tregut për të adresuar sfidat dhe mundësitë në këtë fushë;
-
Nxitjen e projekteve të përbashkëta që ndihmojnë ndërmarrjet të kuptojnë rëndësinë e regjistrimit dhe mbrojtjes ligjore të risive të tyre.
Ky bashkëpunim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një ekosistemi të qëndrueshëm inovacioni dhe forcimit të klimës së biznesit në Shqipëri.