Znj. Maria Solis Kapedani
Drejtor i Përgjithshëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Pronësisë Industriale
Është diplomuar në drejtësi pranë Universitetit të Tiranës, ndërsa ka përfunduar studimet master shkencor në të drejtën civile dhe më pas specializimin “LLM in Intellectual Property Law” pranë “Queen Mary University of London”, një nga institucionet më të njohura ndërkombëtare në fushën e pronësisë intelektuale.
Formimi i saj ndërkombëtar është pasuruar më tej me programe dhe certifikime nga “Harvard University”, në fushën e të drejtave të fëmijëve dhe të drejtave të njeriut, si dhe nga “Berklee College of Music” në industrinë e muzikës dhe menaxhimit kreativ.
Prej vitesh, znj. Solis Kapedani ka ndërtuar një karrierë solide në administratën publike dhe në proceset e harmonizimit të legjislacionit shqiptar me “acquis communautaire” të Bashkimit Europian, duke mbajtur role kyçe në reformimin dhe modernizimin e sistemit të pronësisë intelektuale në vend. Ajo ka drejtuar procese të rëndësishme koordinimi, promovimi, trajnimi dhe analizash strategjike në Drejtorinë e Përgjithshme të Pronësisë Industriale, si dhe ka shërbyer si Zëvendëskryetare e Kapitullit 7 për të Drejtat e Pronësisë Intelektuale në kuadër të integrimit europian të Shqipërisë.
Eksperienca e saj përfshin bashkëpunime të rëndësishme me organizata ndërkombëtare si World Intellectual Property Organization (WIPO), European Union Intellectual Property Office (EUIPO) dhe European Patent Office (EPO), ku ka kontribuar në projekte strategjike për zhvillimin e politikave të inovacionit, mbrojtjen e markave dhe patentave, edukimin mbi pronësinë industriale dhe promovimin e sipërmarrjes kreative dhe startup-eve inovative.
Përveç angazhimit institucional, znj. Solis Kapedani ka ushtruar rolin e mësimdhënies si pedagoge e jashtme në “Fakultetin e Drejtësisë” në “Universitetin e Tiranës”. Gjithashtu eshtë autore botimesh shkencore ndërkombëtare në fushën e pronësisë intelektuale dhe bioteknologjisë, si dhe lektore në forume profesionale kombëtare dhe ndërkombëtare.