Informimi, konsultimi, komunikimi dhe përfshirja e shoqërisë civile, grupeve të interesit, botës akademike, dhe pushtetit vendor në procesin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian si dhe në procesin e Stabilizim-Asociimit realizohet nëpërmjet Platformës së Partneritetit për Integrimin Evropian.
Pjesëmarrja e shoqërisë civile dhe grupeve të interesit në Procesin e Negociatave të Anëtarësimit në Bashkimin Evropian për monitorimin e politikave publike përgjatë procesit të negocimit, nëpërmjet Platformës së Partneritetit për Integrimin Evropian, si dhe dhënia e ekspertizës në fusha të ndryshme të acquis të Bashkimit Evropian, është e hapur për to sipas fushës përkatëse të kompetencës.
Platforma e Partneritetit për Integrimin Evropian organizohet me dy nivele përfaqësimi:
Bordi Drejtues, i cili drejton Platformën e Partneritetit për Integrimin Evropian. Bordi Drejtues kryesohet nga Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe ka në përbërje të tij 15 anëtarë (ndër të cilët Zëvendësministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Kryenegociatori, zyrtar të nivelit drejtues të MEPJ dhe përfaqësues nga shoqatat e organeve të pushtetit vendor, shoqërisë civile, të komunitetit të biznesit, shoqatave të punëmarrësve dhe botës akademike).
33 Tryeza të Diskutimit dhe Këshillimit, të cilat krijohen në mënyrë analoge me kapitujt e acquis të Bashkimit Evropian.
Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale që është përgjegjës dhe lider për kapitullin 7 “Pronësia Intelektuale” mbështetur në VKM nr. 749, datë 19.12.2018 “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e strukturës shtetërore përgjegjëse, për zhvillimin e negociatave dhe lidhjen e Traktatit të Aderimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian” si dhe në zbatim të Urdhrit të Kryeministrit të RSH, nr.113, datë 30.08.2019 “Për format e pjesëmarrjes, funksionimin dhe strukturën institucionale të platformës së partneritetit për integrimin evropian”, ftoi të marrin pjesë lirisht përfaqësuesit e organizatave të shoqërise civile, të pushtetit vendor, të komunitetit të biznesit, të shoqatave të punëmarrësve, të botës akademike, të mediave dhe grupeve të interesit, duke shprehur interesin e tyre për tu bërë anëtarë të tryezës së kapitullit të 7 “Pronësia Intelektuale” , në kuadër të Grupeve Institucionale të Punës për Integrimin Evropian (GNPIE).