
Program i ri Master në Menaxhimin e Pronësisë Intelektuale
Në kuadër të bashkëpunimit shumë të mirë ndërmjet Zyrës Hungareze për Pronësi Intelektuale dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale, bëjmë me dije një iniciativë të re dhe të rëndësishme në fushën e arsimit të lartë dhe zhvillimit profesional.
Universiteti Corvinus i Budapestit, në bashkëpunim me Zyrën Hungareze të Pronësisë Intelektuale dhe Organizatën Botërore të Pronësisë Intelektuale (WIPO), ofron programin Master i Shkencave (MSc) në Menaxhimin e Pronësisë Intelektuale.
Programi, i cili fillon në shtator 2026 dhe zhvillohet në gjuhën angleze, synon të përgatisë profesionistët e rinj me njohuri ndërdisiplinore në fushat e ligjit, ekonomisë dhe biznesit, si dhe me aftësi praktike në mbrojtjen, vlerësimin, licencimin dhe komercializimin e pronësisë intelektuale.
Me një orientim të fortë ndërkombëtar, programi fokusohet në shndërrimin e pronësisë intelektuale në një aset strategjik për rritje ekonomike dhe konkurrueshmëri. Pjesëmarrësit do të përfitojnë nga bashkëpunimi me ekspertë të fushës dhe nga përfshirja në raste konkrete studimore, duke u pajisur me aftësitë e nevojshme për role drejtuese në ekosistemin e inovacionit dhe teknologjisë.
Ky program përbën një kontribut të rëndësishëm në ndërtimin e kapaciteteve në fushën e pronësisë intelektuale dhe në forcimin e një sistemi të qëndrueshëm dhe të orientuar drejt së ardhmes.
Për më shumë informacion mbi programin, ju lutemi vizitoni:
https://www.uni-corvinus.hu/post/landing-page/masters/msc-in-intellectual-property-management/?lang=en


