
Shqipëria aderon në Traktatin e Nairobit për Mbrojtjen e Simbolit Olimpik
Republika e Shqipërisë ka përmbushur një tjetër angazhim të rëndësishëm të parashikuar në Strategjinë Kombëtare të Pronësisë Intelektuale 2022–2025, duke aderuar në Traktatin e Nairobit për Mbrojtjen e Simbolit Olimpik.
Sipas njoftimit zyrtar të Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale (WIPO), më 1 korrik 2026, Qeveria e Republikës së Shqipërisë depozitoi instrumentin e aderimit në Traktatin e Nairobit, ndërsa traktati do të hyjë në fuqi për Shqipërinë më 1 gusht 2026.
Aderimi në këtë traktat është rezultat i punës së koordinuar institucionale dhe pjesë e masave të parashikuara në Strategjinë Kombëtare të Pronësisë Intelektuale 2022–2025 për zgjerimin e pjesëmarrjes së Shqipërisë në traktatet ndërkombëtare të administruara nga WIPO, si dhe për forcimin e mbrojtjes së të drejtave të pronësisë intelektuale në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Traktati i Nairobit garanton mbrojtjen e simbolit olimpik kundër përdorimit të paautorizuar për qëllime tregtare, duke siguruar respektimin e detyrimeve ndërkombëtare në këtë fushë dhe duke kontribuar në harmonizimin e mëtejshëm të sistemit shqiptar të pronësisë industriale me praktikat më të mira ndërkombëtare.
Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale mbetet e angazhuar në zbatimin e prioriteteve strategjike të vendit në fushën e pronësisë intelektuale dhe në avancimin e proceseve që mbështesin inovacionin, zhvillimin ekonomik dhe integrimin evropian.
Me këtë aderim, Shqipëria përmbush një tjetër objektiv konkret të Strategjisë Kombëtare të Pronësisë Intelektuale 2022–2025 dhe konfirmon angazhimin e saj për forcimin e sistemit kombëtar të pronësisë intelektuale në përputhje me standardet ndërkombëtare.



