
Shqipëria dhe Bullgaria nënshkruajnë marrëveshjen e bashkëpunimit në fushën e Pronësisë Industriale
Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale (DPPI) e Shqipërisë dhe Zyra e Pronësisë Industriale të Bullgarisë kanë nënshkruar një marrëveshje të re bashkëpunimi, e cila synon të rrisë nivelin e shkëmbimit teknik dhe institucional mes dy vendeve.
Marrëveshja u nënshkrua nga Drejtor i Përgjithshëm i Komanduar në DPPI-së, znj. Rudina Bollano dhe znj. Olya Dimitrova, Presidente e Zyrës së Patentave të Bullgarisë.
Çfarë parashikon marrëveshja?
- Shkëmbim informacioni mbi legjislacionin, praktikat më të mira dhe zhvillimet më të fundit në fushën e pronësisë industriale.
- Trajnime të ndërsjella për stafet teknike dhe administrative të të dy institucioneve.
- Organizimin e seminareve, konferencave dhe tryezave të rrumbullakëta, me fokus te inovacioni dhe roli i pronësisë industriale në zhvillimin ekonomik.
- Rritjen e kapaciteteve institucionale dhe bashkëpunim në projekte të përbashkëta me interes të ndërsjellë.
Angazhim i përbashkët për inovacion dhe zhvillim
Të dy palët ri-konfirmuan rëndësinë e forcimit të mbrojtjes së të drejtave të pronësisë industriale si një komponent kyç për nxitjen e inovacionit, zhvillimit ekonomik dhe integrimit ndërkombëtar.
Memorandumi hyn në fuqi menjëherë dhe do të ketë një afat pesëvjeçar, me mundësi rinovimi pas përfundimit të tij.
Ky hap përfaqëson një angazhim të qartë të Shqipërisë për forcimin e sistemit të pronësisë intelektuale dhe thellimin e bashkëpunimit teknik e institucional me partnerët evropianë.


