
Shqipëria dhe Hungaria nënshkruajnë Memorandum Mirëkuptimi për forcimin e bashkëpunimit në fushën e pronësisë industriale dhe intelektuale
Në kuadër të përpjekjeve për zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale (DPPI) dhe Zyra e Pronësisë Intelektuale të Hungarisë (HIPO) nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi gjatë punimeve në Gjenevë, me synimin për të rritur bashkëpunimin në fushat strategjike të pronësisë industriale dhe intelektuale.
Marrëveshja u firmos nga z. Szabolcs Farkas, President i Zyrës së Pronësisë Intelektuale të Hungarisë, dhe znj. Maria Solis Kapedani, Drejtor i Përgjithshëm i Komanduar i DPPI-së.
Memorandumi parashikon një sërë veprimesh konkrete për forcimin e kapaciteteve institucionale dhe promovimin e të drejtave të pronësisë intelektuale, si:
- Shkëmbimin e informacionit mbi legjislacionin dhe praktikat më të mira ndërkombëtare;
- Trajnime të ndërsjella për stafet teknike të dy institucioneve;
- Organizimin e seminareve dhe tryezave mbi inovacionin dhe rolin e pronësisë intelektuale në zhvillimin ekonomik;
- Bashkëpunimin në projekte të përbashkëta në nivel teknik dhe institucional.
Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, të dyja palët rikonfirmuan angazhimin për të promovuar mbrojtjen e të drejtave të pronësisë industriale si një shtyllë e rëndësishme për zhvillimin e qëndrueshëm, konkurrueshmërinë dhe integrimin ndërkombëtar.
Memorandumi hyri në fuqi menjëherë pas nënshkrimit dhe do të ketë një afat fillestar prej pesë vitesh, me mundësi rinovimi.
Ky zhvillim përbën një tjetër hap të rëndësishëm në konsolidimin e rolit të Shqipërisë në sistemin evropian të pronësisë intelektuale, duke përforcuar lidhjet me partnerë kyç dhe duke krijuar hapësira të reja për bashkëpunim dhe zhvillim.