
Shqipëria prezanton për herë të parë produktet si Tregues Gjeografik në WIPO
Shqipëria prezanton për herë të parë produktet si Tregues Gjeografik në WIPO
Gjenevë, 10 korrik 2025 – Në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të 66-të të Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale (WIPO), Shqipëria organizoi për herë të parë një side event të dedikuar promovimit të produkteve të regjistruar si Tregues Gjeografikë dhe trashëgimisë së pasur kulturore shqiptare.
Ngjarja, e cila u mbajt në ambientet e WIPO-s në Gjenevë, solli në vëmendjen e delegacioneve ndërkombëtare katër produkte të certifikuara si Tregues Gjeografikë nga Shqipëria:
Vaji i ullirit i Valmi,
Mjalti i Bedunicës,
Glikoja e Përmetit,
Kërpudha e Malësisë së Madhe.
Mbrëmja u përshëndet nga Drejtori i Përgjithshëm i WIPO, z. Daren Tang, i cili vlerësoi angazhimin e Shqipërisë në fushën e mbrojtjes së pronësisë industriale dhe cilësinë e prezantimit të saj në këtë forum ndërkombëtar.
Fjalë përshëndetëse mbajtën gjithashtu znj. Maria Silis Kapedani, Drejtor i Përgjithshëm i Komanduar i Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale (DPPI), dhe znj. Blerta Rama, Zëvendësministre për Ekonominë, Kulturën dhe Inovacionin (MEKI), të cilat theksuan rëndësinë strategjike të mbrojtjes dhe promovimit të produkteve tradicionale shqiptare në tregjet globale.
Mbrëmja përçoi në mënyrë tërësore atmosferën dhe identitetin kombëtar shqiptar, përmes një programi artistik të realizuar nga Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore, si dhe një ekspozite të veshjeve popullore që ngjalli interes të veçantë tek pjesëmarrësit ndërkombëtarë.
Delegatët e asamblesë patën gjithashtu mundësinë të shijojnë receta tradicionale shqiptare, të përgatitura me produkte të certifikuara si Tregues Gjeografikë, të cilat u pritën me entuziazëm dhe vlerësime të larta.
Ky aktivitet shënon një hap të rëndësishëm për Shqipërinë në drejtim të ndërkombëtarizimit të trashëgimisë kulturore dhe promovimit të vlerave autentike shqiptare përmes mekanizmave të mbrojtjes së pronësisë intelektuale.
Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale
Tiranë, Korrik 2025




























































