Leksion i hapur me Institutin Kanadez të Teknologjisë
Në kuadër të Ditës Botërore të Pronësisë Intelektuale 26 Prill, përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale (DPPI), zhvilluan me studentet e Institutit Kanadez të Teknologjisë një orë të hapur leksioni me teme: “Të njohim pronësinë intelektuale, rëndësinë e saj në nxitjen e inovacionit tek studentët”. Fokusi i leksionit padyshim mbetej informimi mbi përfitimet, avantazhet dhe të drejtat ligjore që sjell regjistrimi i objekteve të PI-së. Gjithashtu patëm mundësi që me studentët e këtij Instituti të zhvillonim diskutime të hapura lidhur me idetë inovative me potential të mundshëm patentimi.
Angazhimi i DPPI-së është tregues i vëmendjes që kemi ndaj brezave të rinj për të nxitur zhvillimin në fushën e shkencës, teknologjisë dhe inkurajimit në punën shkencore.





Leksion i hapur me studentët e Fakultetit Drejtësi Tiranë
Me datë 29.4.2024 në ambjentet e Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale (DPPI), në bashkëpunim me Inspektoratin Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut, Drejtorinë për të Drejtën e Autorit (DDA) si dhe profesorë të Fakultetit të Drejtësisë, zhvilluan një leksion të hapur mbi “Kuadri ligjor në fushën e pronësise intelektuale si dhe raste konkrete nga praktika shqiptare”.
Zv.Dekani, Prof.Jonad Bara, pasi përshëndeti organizimin e këtij aktiviteti, vlerësoi rëndësinë e Pronësisë Intelektuale dhe rolin e institucioneve në garantimin dhe mbrojtjen e saj. Në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm me këto institucione dhe nxitjes së punësimit për studentët, Zv.Dekani u shpreh optimist për nënshkrimin në të ardhmen të një marrëveshjeje bashkëpunimi me Drejorinë e Përgjithshme të Pronësisë Industriale. Përgjegjësi i Sektorit Ligjor pranë DPPI, Z.Përparim Mezini, paraqiti përpara studentëve një prezantim mbi Pronësinë Industriale, rëndësinë dhe prioritetin që po merr për shpikësit, krijuesit dhe sipërmarrësit e rinj. Z.Mezini trajtoi më në veçanti markat tregtare dhe rëndësinë e tyre për bizneset që operojnë kudo në botë.
Pjesë e panelit ishte dhe përgjegjësja e Sektorit të Pronësisë Intelektuale pranë Inspektoratit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut, Znj.Rezarta Rajtja. Znj.Rajtja u shpreh se ky institucion është përgjegjës për inspektimin në fushën e sigurisë së produkteve jo ushqimore për përdorim nga konsumatorët dhe fushën e pronësisë intelektuale. Përveç rolit të këtij institucioni në marrjen e masave administrative për shkelësit e të drejtave, ajo theksoi se janë vetë mbajtësit e të drejtave që vënë në lëvizje organin administrativ.
Nga ana tjetër përfaqësuesi i Drejtorisë së të Drejtës së Autorit, pranë Ministrisë së Kulturës, Z.Emiljano Alla, trajtoi në mënyrë të përmbledhur Ligjin “Për të Drejtën e Autorit dhe tё drejtat e tjera tё lidhura me to”, duke ndalur tek objekti i këtij ligji, subjeket dhe fushën e zbatimit, si dhe detyrat dhe përgjegjësitë e Drejtorisë për të Drejtën e Autorit(DDA) në vendosjen e masave administrative dhe penale ndaj shkelësve të ligjit.
Znj. Xhesika Lulaj, nga Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale, solli në vëmendje të studentëve raste të praktikës gjyqësore, ku janë konstatuar konflikte në regjistrimin e markave tregtare, si dhe informoi mbi procedurën e ankimit në rast të cënimit të së drejtës së një subjekti, organet kompetente etj.
Leksioni i hapur i mbajtur në Fakultetin e Drejtësisë, nën drejtimin e Dr.Etlon Peppo, ishte një mënyrë e promovimit dhe rritjes së ndërgjegjësimit të studentëve mbi rëndësinë e pronësisë intelektuale dhe masave që parashikon legjislacioni vendas për mbrojtjen e saj.



Leksion i hapur ne Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin “Fan S. Noli” të Korçës
Znj. Ledina Alolli, Dekane e Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin “Fan S. Noli” të Korçës, mirëpriti përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale (DPPI) për të biseduar nga afër mbi iniciativat që DPPI ndërmerr, me fokus arsimin dhe studentët.
Znj. Alolli shprehu vlerësimin e saj për vëmendjen që i kushtohet gjeneratës së re dhe për vijimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve tona.
Gjatë takimit në këtë universitet, patëm kënaqësinë të zhvillonim një orë të hapur leksioni me tematikën: “Si të nxisim studentët për të thelluar njohuritë e tyre në fushën e pronësisë industriale.”
Studentët e profilit ekonomik nga ky universitet ndoqën me kuriozitet dhe u njohën nga afër me fushën e pronësisë intelektuale, degët e saj, institucionet përgjegjëse në rastet e cënimit të të drejtave dhe mbi rëndësinë e regjistrimit te objekteve te saj.
Këto takime zhvillohen në kuadër të Marrëveshjes së Bashkëpunimit qe institucioni yne ka nenshkruar me Universitetin “Fan Noli” Korçë.
Leksion i hapur me studentet e fakultetit te Drejtesise Universiteti i Tiranes
DPPI organizoi një leksion të hapur me studentët e Fakultetit te Drejtesise, Universiteti i Tiranes mbi njohjen e objekteve të Pronësisë Industriale.
Leksioni u mbajt nga Prof. Dr. Alessandro Cogo nga Fakulteti Juridik i Universitetit të Torinos si dhe Drejtori Shkencor i WIPO LLM në PI.
Ky leksion u realizua pas kërkesës në World Intellectual Property Organization Academy të Ambasadores së Përhershme në UN, Misioni i Republikës së Shqipërisë pranë OKB në Gjenevë të prof. Vasilika Hysi.
Leksioni u përqëndrua mbi burimet dhe parimet kryesore të së Drejtës Ndërkombëtare të PI dhe ndikimet që sjell prona intelektuale në ekonominë globale.
Prof. Cogo u fokusua në parimin e Konventës së Parisit, Konventës së Bernës dhe TRIPS, duke përfshirë trajtimin kombëtar, përparësinë e së drejtës dhe parimin e kombit më të favorizuar, të cilat luajnë një rol të domosdoshëm në mbrojtjen e pronësisë intelektuale.
Prof. Cogo i udhëzoi studentët që të vazhdojnë studimet e tyre Master në të drejtën e Pronësisë Intelektuale dhe Industriale, duke stimuluar interesin e për të mësuar më shumë rreth traktateve ndërkombëtare, ligjet zakonore dhe parimet e përgjithshme të ligjit të njohura nga vendet e zhvilluara.
Ky leksion i hapur, i pari i këtij lloji, u përshendet nga përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale si dhe nga Zëvendës Dekani, i Fakultetit Juridik Prof. Asc.Dr. Jonad Bara.





Leksion i hapur me studentët e Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër
Leksion i Hapur për studentët e Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër.
Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale mbajti një leksion të hapur me studentët e Fakultetit të Drejtësisë në Shkodër, ku u theksua rëndësia e pronësisë industriale në zhvillimin e shoqërisë dhe ekonomisë.
Interesi i shfaqur nga studentët ishte i jashtëzakonshëm, duke reflektuar nevojën për më shumë njohuri dhe angazhim në këtë fushë kaq të rëndësishme.
Ky leksion është pjesë e marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet DPPI dhe Universitetit të Shkodrës, e cila synon të afrojë studentët me praktikat më të mira në këtë fushë.
Rëndësia e mbrojtjes së pronësisë industriale dhe intelektuale është themelore për nxitjen e inovacionit dhe krijimtarisë, dhe këtë mesazh e përcollëm me entuziazëm tek të rinjtë që do të formojnë të ardhmen ligjore të vendit. Fakulteti i Drejtësisë në Universitetin e Shkodrës zhvillon në kurikulën e saj te detyrueshme lëndën “Pronësia Intelektuale” dhe për vitin 2024 sipas statistikave të këtij fakulteti, 9 studentë kanë mbrojtur temën e diplomës duke zgjedhur fushën e Pronësisë Intelektuale.
Ky është një fakt që na gëzon. Një falenderim shkon dhe për pedagogët e përkushtuar dhe profesionistë të këtij fakulteti.




