
Takimi Tre-Palësh për Forcimin e Bashkëpunimit Rajonal në Fushën e Pronësisë Industriale
Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale (DPPI) organizoi një takim tre-palësh me homologët e saj nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, në kuadër të bashkëpunimit rajonal për çështjet e pronësisë industriale.
Ky takim shënon një hap të rëndësishëm në thellimin e marrëdhënieve institucionale dhe koordinimin e projekteve të përbashkëta, me synimin për të përmirësuar shërbimet dhe përfaqësimin ndërkombëtar të rajonit.
Delegacionet pjesëmarrëse u mirëpritën nga Drejtori i Përgjithshëm i Komanduar i DPPI, znj. Maria Solis Kapedani.
Pjesëmarrësit në takim:
Z. Avdi Krasniqi – Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Pronësisë Industriale të Kosovës
Z. Eljesa Neziri – Drejtor i Përgjithshëm i Entit për Pronësi Industriale të Maqedonisë së Veriut
Gjatë diskutimeve, u theksua rëndësia e bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve homologe për të ndërtuar një sistem më efikas dhe të harmonizuar të pronësisë industriale në rajon. Palët u angazhuan për forcimin e shkëmbimit të përvojave, zhvillimin e projekteve të përbashkëta dhe avancimin e shërbimeve për qytetarët dhe bizneset.
Ky takim konfirmon angazhimin e përbashkët për një rajon më të integruar dhe inovativ, ku pronësia industriale luan një rol kyç në zhvillimin ekonomik dhe nxitjen e sipërmarrjes.