Ready, Set, Innovate” – Sporti dhe kreativiteti në focus
Në kuadër të Ditës Botërore të Pronësisë Intelektuale 26 Prill 2026 Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale zhvilloi një aktivitet ndërgjegjësues me ekipin e basketbollit të Tiranës me grupmoshat 14-15 vjeç.
Përmes një komunikimi të drejtpërdrejtë dhe dinamik, të rinjtë u njohën me rëndësinë e mbrojtjes së ideve, markave tregtare, disenjove industriale, patentat për shpikje dhe identitetit në sport.
Aktiviteti solli në vëmendje lidhjen e fortë mes sportit dhe inovacionit, duke nxitur respektin për pronësinë intelektuale që në moshë të hershme.
Energjia dhe angazhimi i të rinjve treguan qartë se e ardhmja e sportit ndërtohet mbi kreativitet, integritet dhe respekt për rregullat.
Program i ri Master në Menaxhimin e Pronësisë Intelektuale
Në kuadër të bashkëpunimit shumë të mirë ndërmjet Zyrës Hungareze për Pronësi Intelektuale dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale, bëjmë me dije një iniciativë të re dhe të rëndësishme në fushën e arsimit të lartë dhe zhvillimit profesional.
Universiteti Corvinus i Budapestit, në bashkëpunim me Zyrën Hungareze të Pronësisë Intelektuale dhe Organizatën Botërore të Pronësisë Intelektuale (WIPO), ofron programin Master i Shkencave (MSc) në Menaxhimin e Pronësisë Intelektuale.
Programi, i cili fillon në shtator 2026 dhe zhvillohet në gjuhën angleze, synon të përgatisë profesionistët e rinj me njohuri ndërdisiplinore në fushat e ligjit, ekonomisë dhe biznesit, si dhe me aftësi praktike në mbrojtjen, vlerësimin, licencimin dhe komercializimin e pronësisë intelektuale.
Me një orientim të fortë ndërkombëtar, programi fokusohet në shndërrimin e pronësisë intelektuale në një aset strategjik për rritje ekonomike dhe konkurrueshmëri. Pjesëmarrësit do të përfitojnë nga bashkëpunimi me ekspertë të fushës dhe nga përfshirja në raste konkrete studimore, duke u pajisur me aftësitë e nevojshme për role drejtuese në ekosistemin e inovacionit dhe teknologjisë.
Ky program përbën një kontribut të rëndësishëm në ndërtimin e kapaciteteve në fushën e pronësisë intelektuale dhe në forcimin e një sistemi të qëndrueshëm dhe të orientuar drejt së ardhmes.
Për më shumë informacion mbi programin, ju lutemi vizitoni:
https://www.uni-corvinus.hu/post/landing-page/masters/msc-in-intellectual-property-management/?lang=en
Takim me bizneset në Tiranë për ndërgjegjësimin mbi mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale
DPPI zhvilloi një tryezë me bizneset në Tiranë për ndërgjegjësimin mbi mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale.
Takimi u realizua në bashkëpunim me Drejtorinë për të Drejtën e Autorit, ISHMT, Doganat dhe Autoritetin e Konkurrencës, me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit (MEI).
Falënderojmë të gjitha institucionet pjesëmarrëse dhe bizneset për bashkëpunimin!
DPPI në “Tourism Fair Albania 2026”
DPPI po merr pjesë aktualisht me stendë në Tourism Fair Albania 2026 në Pallatin e Kongreseve.
Po zhvillojmë takime me operatorë turistikë dhe biznese
Po shpërndajmë broshura dhe materiale informuese.
Po promovojmë rëndësinë e mbrojtjes së pronësisë industriale në turizëm
Interesi pranë stendës sonë është i lartë dhe vizitat e operatorëve po vazhdojnë gjatë gjithë panairit!
Ejani të na vizitoni dhe të mësoni më shumë mbi mënyrën si pronësia industriale forcon identitetin dhe konkurrueshmërinë në turizëm!



















