Category: Lajm kryesor
NJOFTIM ZYRTAR
Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale (DPPI) 🇦🇱njofton përfaqësuesit e autorizuar, aplikantët dhe subjektet e interesuara se në datat 13 dhe 27 gusht 2026, në intervalin orar 12:00 – 15:00, do të organizojë takime individuale (Open Day) për rastet kur kërkohen sqarime lidhur me shërbimet të cilat DPPI ofron. Për të rezervuar takim, subjektet e interesuara ftohen të paraqesin paraprakisht kërkesën e tyre në adresën elektronike:
E-mail: info@dppi.gov.al
Në kërkesë duhet të specifikohet shkurtimisht çështja apo problematika për të cilën kërkohet sqarim. Pas shqyrtimit të kërkesës, DPPI do të caktojë një orar takimi sqarues sipas disponueshmërisë gjatë periudhës së sipërpërmendur.
Thirrje për aplikim
THIRRJE PËR APLIKIME
Young Inventors Prize 2027
Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale (DPPI) informon të gjithë studentët, të sapodiplomuarit, inovatorët e rinj, sipërmarrësit dhe të rinjtë me ide inovative për arsye se Zyra Evropiane e Patentave (European Patent Office – EPO) ka hapur thirrjen për nominime “Young Inventors Prize 2027”.
Young Inventors Prize vlerëson shpikësit e rinj nga e gjithë bota, të cilët, përmes krijimtarisë dhe inovacionit, zhvillojnë zgjidhje konkrete për adresimin e sfidave globale të qëndrueshmërisë, në përputhje me Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara (UN Sustainable Development Goals – SDGs).
Çmimi synon të promovojë dhe mbështesë brezin e ri të inovatorëve, duke i dhënë mundësi të prezantojnë shpikjet e tyre në një platformë ndërkombëtare dhe të fitojnë njohje për kontributin e tyre në zhvillimin e teknologjive dhe zgjidhjeve me ndikim pozitiv për shoqërinë.
Aplikimet janë të hapura për kandidatë nga e gjithë bota dhe nuk është e nevojshme që shpikja të jetë e patentuar.
Afati i fundit për paraqitjen e nominimeve është 30 shtator 2026.
DPPI inkurajon të gjithë të rinjtë shqiptarë me ide dhe shpikje inovative të aplikojnë dhe të përfaqësojnë Shqipërinë në këtë iniciativë prestigjioze ndërkombëtare.
Për më shumë informacion:
- Platforma e nominimit: https://epo.newsweaver.co.uk/EUROPEAN-INVENTOR-AWARD/1xitqbmss3f76m7frywxr6/external?email=true&lang=en&a=6&p=66901237&t=30524067
- Kriteret e pranueshmërisë, procedura e aplikimit dhe informacioni i plotë: https://epo.newsweaver.co.uk/EUROPEAN-INVENTOR-AWARD/16276hu1s5t76m7frywxr6/external?email=true&lang=en&a=6&p=66901237&t=30524067
DPPI fton gjithashtu universitetet, institucionet e arsimit të lartë, qendrat e kërkimit, laboratorët e inovacionit, organizatat mbështetëse të sipërmarrjes dhe të gjithë aktorët e ekosistemit të inovacionit ta shpërndajnë këtë thirrje, me qëllim që sa më shumë kandidatë të kualifikuar nga Shqipëria të kenë mundësinë të aplikojnë.
Shqipëria aderon në Traktatin e Singaporit mbi të Drejtën e Markave
Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale (DPPI) njofton se Republika e Shqipërisë ka depozituar më 1 korrik 2026 pranë Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale (WIPO) instrumentin e aderimit në Traktatin e Singaporit mbi të Drejtën e Markave, i miratuar në Singapor më 27 mars 2006. Sipas njoftimit zyrtar të WIPO-s, Traktati do të hyjë në fuqi për Republikën e Shqipërisë më 1 tetor 2026.
Aderimi në këtë traktat përfaqëson një hap të rëndësishëm në forcimin e sistemit kombëtar të pronësisë industriale dhe harmonizimin e mëtejshëm të legjislacionit dhe praktikave administrative shqiptare me standardet ndërkombëtare në fushën e markave.
Ky zhvillim përbën gjithashtu përmbushjen e një prej angazhimeve të parashikuara në Strategjinë Kombëtare të Pronësisë Intelektuale 2022–2025, e cila synonte zgjerimin e pjesëmarrjes së Shqipërisë në traktatet ndërkombëtare të administruara nga WIPO dhe forcimin e kuadrit ligjor e institucional në fushën e pronësisë intelektuale.
Traktati i Singaporit synon modernizimin dhe thjeshtimin e procedurave administrative që lidhen me regjistrimin dhe administrimin e markave, duke ofruar një kuadër më efikas, më transparent dhe më të përshtatshëm për përdoruesit e sistemit të markave.
DPPI mbetet e angazhuar në zbatimin e prioriteteve strategjike kombëtare dhe në mbështetjen e biznesit, inovacionit dhe konkurrueshmërisë përmes zhvillimit të një sistemi modern dhe efektiv të pronësisë industriale në Republikën e Shqipërisë.
Shqipëria aderon në Traktatin e Nairobit për Mbrojtjen e Simbolit Olimpik
Republika e Shqipërisë ka përmbushur një tjetër angazhim të rëndësishëm të parashikuar në Strategjinë Kombëtare të Pronësisë Intelektuale 2022–2025, duke aderuar në Traktatin e Nairobit për Mbrojtjen e Simbolit Olimpik.
Sipas njoftimit zyrtar të Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale (WIPO), më 1 korrik 2026, Qeveria e Republikës së Shqipërisë depozitoi instrumentin e aderimit në Traktatin e Nairobit, ndërsa traktati do të hyjë në fuqi për Shqipërinë më 1 gusht 2026.
Aderimi në këtë traktat është rezultat i punës së koordinuar institucionale dhe pjesë e masave të parashikuara në Strategjinë Kombëtare të Pronësisë Intelektuale 2022–2025 për zgjerimin e pjesëmarrjes së Shqipërisë në traktatet ndërkombëtare të administruara nga WIPO, si dhe për forcimin e mbrojtjes së të drejtave të pronësisë intelektuale në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Traktati i Nairobit garanton mbrojtjen e simbolit olimpik kundër përdorimit të paautorizuar për qëllime tregtare, duke siguruar respektimin e detyrimeve ndërkombëtare në këtë fushë dhe duke kontribuar në harmonizimin e mëtejshëm të sistemit shqiptar të pronësisë industriale me praktikat më të mira ndërkombëtare.
Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale mbetet e angazhuar në zbatimin e prioriteteve strategjike të vendit në fushën e pronësisë intelektuale dhe në avancimin e proceseve që mbështesin inovacionin, zhvillimin ekonomik dhe integrimin evropian.
Me këtë aderim, Shqipëria përmbush një tjetër objektiv konkret të Strategjisë Kombëtare të Pronësisë Intelektuale 2022–2025 dhe konfirmon angazhimin e saj për forcimin e sistemit kombëtar të pronësisë intelektuale në përputhje me standardet ndërkombëtare.
DPPI shpall rezultatet e procesit të vlerësimit në kuadër të projektit EU4IP
Në kuadër të projektit EU4IP – Strengthening Intellectual Property Rights in the Western Balkans, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga EUIPO, Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale (DPPI) njofton përfundimin e procesit të vlerësimit të aplikimeve të paraqitura në kuadër të thirrjeve për interes për hartimin e akteve nënligjore për zbatimin e legjislacionit në fushën e Pronësisë Industriale.
Pas shqyrtimit dhe vlerësimit të aplikimeve nga Komisioni i Vlerësimit, u vendos përzgjedhja e ekspertëve fitues si më poshtë:
- Z. Etlon Peppo – fitues për hartimin e akteve nënligjore për zbatimin e ligjeve për Treguesit Gjeografikë.
- Znj. Lindita Mëneri – fituese për hartimin e akteve nënligjore për zbatimin e ligjeve për Dizenjot.
Ky angazhim përbën një hap të rëndësishëm në forcimin e kuadrit ligjor dhe institucional të pronësisë industriale në Shqipëri, duke kontribuar në përafrimin e mëtejshëm të legjislacionit kombëtar me standardet dhe praktikat e Bashkimit Evropian.
DPPI falënderon të gjithë aplikantët për interesimin dhe kontributin e tyre në këtë proces.
Program i ri Master në Menaxhimin e Pronësisë Intelektuale
Në kuadër të bashkëpunimit shumë të mirë ndërmjet Zyrës Hungareze për Pronësi Intelektuale dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale, bëjmë me dije një iniciativë të re dhe të rëndësishme në fushën e arsimit të lartë dhe zhvillimit profesional.
Universiteti Corvinus i Budapestit, në bashkëpunim me Zyrën Hungareze të Pronësisë Intelektuale dhe Organizatën Botërore të Pronësisë Intelektuale (WIPO), ofron programin Master i Shkencave (MSc) në Menaxhimin e Pronësisë Intelektuale.
Programi, i cili fillon në shtator 2026 dhe zhvillohet në gjuhën angleze, synon të përgatisë profesionistët e rinj me njohuri ndërdisiplinore në fushat e ligjit, ekonomisë dhe biznesit, si dhe me aftësi praktike në mbrojtjen, vlerësimin, licencimin dhe komercializimin e pronësisë intelektuale.
Me një orientim të fortë ndërkombëtar, programi fokusohet në shndërrimin e pronësisë intelektuale në një aset strategjik për rritje ekonomike dhe konkurrueshmëri. Pjesëmarrësit do të përfitojnë nga bashkëpunimi me ekspertë të fushës dhe nga përfshirja në raste konkrete studimore, duke u pajisur me aftësitë e nevojshme për role drejtuese në ekosistemin e inovacionit dhe teknologjisë.
Ky program përbën një kontribut të rëndësishëm në ndërtimin e kapaciteteve në fushën e pronësisë intelektuale dhe në forcimin e një sistemi të qëndrueshëm dhe të orientuar drejt së ardhmes.
Për më shumë informacion mbi programin, ju lutemi vizitoni:
https://www.uni-corvinus.hu/post/landing-page/masters/msc-in-intellectual-property-management/?lang=en




