projekt

EU4IP-WB: mbështetje e BE-së për forcimin e sistemit të pronësisë industriale në Shqipëri

Nis zbatimi i projektit EU4IP-WB: mbështetje e BE-së për forcimin e sistemit të pronësisë industriale në Shqipëri Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale (DPPI) ka nisur zbatimin e projektit EU4IP-WB, "Forcimi i të Drejtave të Pronësisë Intelektuale në Ballkanin Perëndimor (WB6) dhe Republikën e Moldavisë", një iniciativë bashkëpunimi ndërkombëtar e bashkëfinancuar nga Komisioni Evropian dhe Zyra e Bashkimit Evropian për Pronësinë Intelektuale (EUIPO). Projekti, që do të zbatohet nga EUIPO në bashkëpunim të ngushtë me Komisionin Evropian, mbulon gjashtë ekonomi të Ballkanit Perëndimor — Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë — si dhe Republikën e Moldavisë. Në Shqipëri, partner kryesor është DPPI. Zbatimi do të zgjasë nga janari 2026 deri në dhjetor 2028, dhe synon të mbështesë vendet partnere në procesin e integrimit në Bashkimin Europian nëpërmjet nxitjes së zhvillimit të sistemeve të pronësisë intelektuale. Projekti fokusohet në katër shtylla kryesore: përafrimin e legjislacionit me *acquis*-in e BE-së, forcimin e kapaciteteve institucionale, zbatimin efektiv të të drejtave të pronësisë intelektuale, si dhe rritjen e ndërgjegjësimit mbi vlerën e pronësisë intelektuale te bizneset dhe të rinjtë. Nëpërmjet këtyre aktiviteteve, EU4IP-WB do të kontribuojë edhe në Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, duke lehtësuar tregtinë brenda rajonit dhe me tregun e BE-së. Në kuadër të Planit të Parë të Punës (korrik–dhjetor 2026), për Shqipërinë janë parashikuar disa aktivitete konkrete: - Mbështetje për hartimin dhe zbatimin e akteve nënligjore për dizenjot industriale, në përputhje me acquis-in e BE-së. - Mbështetje për hartimin dhe zbatimin e akteve nënligjore për treguesit gjeografikë(GI), në bashkëpunim të ngushtë me EUIPO-n. - Mbështetje për vlerësimin dhe përditësimin e mjeteve të klasifikimit dhe kërkimit për mallra e shërbime, përfshirë përkthimin e tyre në shqip. Këto aktivitete do të shoqërohen me tryeza konsultimi, seminare pune dhe asistencë teknike të ekspertëve ndërkombëtarë për stafin e DPPI-së dhe aktorët e tjerë të interesuar. Përtej aktiviteteve specifike për Shqipërinë, DPPI do të përfshihet edhe në nisma rajonale, si përafrimi me praktikat e përbashkëta të Rrjetit Evropian të Pronësisë Intelektuale (EUIPN) për regjistrimin dhe ekzaminimin e markave tregtare dhe dizenjove industriale, si dhe në trajnime e shkëmbime eksperience me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Zbatimi i projektit EU4IP-WB përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të sistemit shqiptar të pronësisë industriale, duke ofruar siguri juridike më të madhe për bizneset, krijuesit dhe sipërmarrësit, si dhe duke afruar Shqipërinë më pranë standardeve dhe praktikave të Bashkimit Evropian.

Read More